Autoritetet shëndetësore në Kosovë janë kritikuar disa herë për numër të vogël të testimeve për personat e dyshuar me koronavirusin e ri.
Por, ata që merren me luftimin e pandemisë thonë se nuk kanë teste për të testuar të gjithë qytetarët si të dyshuar.
Megjithatë, ata shprehen se në ditët në vazhdim do rrisin nivelin e testimeve të personave, por kërkojnë nga qytetarët dhe organizata të ndryshme që të mos bëjnë presion në personelin mjekësor që t’i nënshtrohen testeve.
Çfarë është një “reagent” dhe pse po shtyn testimin për koronavirus?
Nga 8 shkurti i këtij viti rreth 7,000 persona në Kosovë janë testuar si të dyshuar me koronavirusin e ri.
Kurse, aktualisht Kosova ka mbi 7,300 teste në dispozicion, thotë në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Faik Hoti zëdhënës në Ministrinë e Shëndetësisë. Si rezultat i kësaj, Hoti thotë se ditëve të fundit është rritur numri i testimeve dhe pritet që nga java e ardhshme kjo shifër të rritet edhe më shumë.
“Gjatë fundjavës që shkoi, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK) është furnizuar me 7,300 teste për diagnostifikimin e COVID-19. Nga këto, 4,100 nga kontrata e Ministrisë se Shëndetësisë, 3,000 donacione nga Programit për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP) dhe 200 të tjera donacione”, thotë Hoti.
Disa nga vendet e Ballkanit Perëndimor, duket se qëndrojnë më mirë në procesin e testimit. Sipas ueb-faqes Worldometers, e cila gjurmon rastet e koronavirusit, deri më 28 prill, Serbia ka testuar mbi 7,700 persona në një milion banorë, Kroacia rreth 8,000 persona, Bosnjë e Hercegovina mbi 8,000, Maqedonia e Veriut rreth 7,300 dhe Mali i Zi ka testuar 8,100.
Kosova nuk figuron në këtë ueb-faqe, por sipas një përllogaritjeje të thjeshtë, Kosova ka mbi 1,7 milion banorë dhe 6,955 teste, që i bie se janë testuar mbi 3,970 persona në një milion banorë. Më keq qëndron Shqipëria, me 2,603 persona të testuar në një milion banorë.
Kosovës i duhen më shumë teste për koronavirusin
Ndërkaq, mikrobiologu, Lul Raka, nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës, thotë se numri i mostrave varet nga numri i testeve që janë në dispozicion
Pasi Kosova nuk ka mundësi të prodhojë teste dhe varet nga importi, Raka thotë se është shumë vështirë furnizimi me to për shkak të kërkesës së madhe globale për këtë produkt.
Sipas tij, Instituti vendos se cilët persona duhet të testohen pasi nuk ka mundësi për të gjithë.
“Problemi kryesor është vështirësia në furnizimin me teste, sepse për kërkesa për teste është kërkesë globale. Është shumë vështirë të sigurohen, kjo është arsye pse testet janë bërë aq sa janë bërë edhe pse ditëve të fundit kjo shifër është rritur. Normal që nuk kemi mundësi ta testojmë krejt popullatën e Kosovës, kjo është e kuptueshme”, tha Raka.
Edhe zyrtarë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në Kosovë, theksojnë se numri i testimeve në nivel vendi është i vogël, por sipas tyre, kjo varet nga kapacitetet ekzistuese.
Kosova nuk mund të prodhojë teste për COVID-19, varet nga importi
Isme Humolli, zyrtare për emergjenca në këtë Organizatë, i tha Radios Evropa e Lirë, se vetëm testimi nuk është zgjidhje për parandalimin e koronavirusit. Sipas saj, qytetarët e Kosovës duhet të zbatojnë rekomandimet e autoriteteve shëndetësore për izolim.
“Asnjë shtet nuk mund të testojë secilin person. Por, bëhet seleksionimi në bazë të kritereve që i përcakton OBSH-ja dhe miratohen nga autoritetet shëndetësore në Kosovë. OBSH potencon se domosdoshmërisht duhet të testohen personat me simptoma, persona të kontaktit. Kurse Instituti e ka shtuar edhe personat të cilët janë edhe në karantinë. Po mendoj se kjo është e mjaftueshme”, tha Humolli.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), të hënën u ka bërë thirrje qytetarëve dhe individëve nga organizata të ndryshme që të ndalin presionet mbi këtë institucion dhe të mos pengojnë punën e tij.
“IKSHPK e kupton shqetësimin e secilit qytetar për statusin e gjendjes së tij shëndetësore, por nuk mund t’i nënshtrohet diktatit të secilit që vet-vlerëson se duhet të testohet, pasi që një përgjegjësi e tillë i takon IKSHPK”, thuhet në njoftim.
Instituti nuk emërton asnjë institucion apo individ që ndërlidhet me këto presione të pretenduara.
Deri më tash, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë ka konfirmuar se 790 persona janë infektuar me koronavirus, 232 janë shëruar dhe 22 kanë vdekur.