Mjeku Ilir Demiri shpallet personaliteti evropian për vitin 2020 nga Lëvizja Evropiane në Maqedoni

Në fillim të vitit 2020 vendi jonë, sikur të gjitha shtetet në botë, u ballafaqua me krizë shëndetësore të shkaktuar nga virusi Sars-COV-19, i cili vetëm për një muaj shkaktoi gjendje të pandemisë.

Barra e kësaj menjëherë ra mbi shpatullat e sistemit shëndetësor, i cili duhej të riorganizonte punën në kushte për të cilat nuk ishin të përgatitura. Duke mos harruar përpjekjet e institucioneve kompetente dhe mobilizimin e gjithë shoqërisë, megjithatë luftën me këtë pandemi e udhëhiqte personeli mjekësor në spitale – mjekët dhe motrat medicinale. Popullit thotë se një person që shpëton një jetë është hero, ndërsa një person që shpëton shumë jetë është mjek ose motër medicinale.

Në këtë kornizë, si përfaqësues i të gjithë të tjerëve, organizata Lëvizja Evropiane në Republikën e Maqedonisë e ka vendosur mjekun Ilir Demiri, duke e shpallur si personaliteti evropian të vitit 2020.

Nga kjo OJQ thonë se për mjekun Ilir Demiri mund të thuhet se interesimi i tij për pacientët nuk ka përfunduar me orarin e punës, por ai është kujdesur dhe informuar vazhdimisht për ta, ka komunikuar me familjarët dhe ka tentuar të largojë frikën e tyre, si dhe është munduar të tregojë kujdes të veçantë për personat që kanë humbur të afërmit e tyre.

Pasi e pranoi këtë mirënjohje, mjeku Demiri tha se në situatën e krijuar nga COVID-19 nuk kanë ndihmuar shumë ekspertiza dhe dituria, pasi nuk kanë pasur njohuri për këtë sëmundje.

“Ajo që i ndihmoi pacientët ishte angazhimi i mjekëve për të luftuar me atë që kishin më parë si njohuri dhe për të kombinuar të gjitha burimet ekzistuese. Kjo kërkon vendim, të cilin e kam marrë që në fillim – se asnjë nga rreziqet që paraqet pandemia nuk do të më ndalojë të jem brenda, të jem me të sëmurët kritikë në kujdesin intensiv, aq sa do të jem i nevojshëm. Por sigurisht që nuk isha vetëm. Pa punë ekipore dhe respekt për organizimin e krijuar nga stafi në Klinikën e Sëmundjeve Infektive, asgjë nuk mund të ishte bërë”, deklaroi Demiri.

Ai është përgjegjës për koordinimin dhe trajnimin e stafit të departamenteve të caktuara klinike që janë rivendosur në Qendrat-Covid. Gjithmonë i disponueshëm dhe i gatshëm për të dhënë udhëzime, qoftë gjatë orëve të punës, në mesnatë, në mëngjes pas ndërrimeve të natës apo gjatë momenteve të rralla kur ai ishte me familjen e tij.

Titulli që i është ndarë nga Lëvizja Evropiane, gjegjësisht mirënjohja që vjen nga ana e qytetarëve, nuk përmban të mira materiale, por satisfaksion për të qenë në mesin e atyre që e kanë marrë këtë mirënjohje deri tani./Telegrafi/