Publicisti shqiptar, Liri Loshi,i cili gjatë luftës së fundit në Kosovë kishte shërbyer edhe si mjek duke ndihmuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ka treguar se ka disa filmime të cilat i kishte bërë pas përfundimit të luftës, dhe që mendonte ti shfrytëzonte për një dokumentar.
Megjithatë Loshi tregon se ato filmime nuk i ka bërë publike asnjëherë. Në shkrimin e tij të publikuar në ‘facebook’, Loshi ka treguar dhe një ngjarje që i kishte ndodhur derisa kishte vizituar veriun e Mitrovicës menjëherë pas luftës.
Ai ka thënë se derisa po gjironte në praninë e dy ushtarëve të KFOR-it francez, një person i kishte kërkuar që të mos gjirojë në pjesën veriore pasi që “nuk është e lejuar që të filmohet diçka që është e Serbisë”.
Madje ky person që qëndronte tek ura e Ibrit, ishte irrituar kur kishte parë bexhin e Loshit që i shkruante TVSH. Me të parë këtë detaj, e kishte sulmuar Loshin duke e kapur për fyti.
Konflikti kishte eskaluar teksa në rrahje e sipër ishte përfshirë edhe axha i Liri Loshit, Zenel Loshi. KFOR-i kishte reaguar menjëherë që të ndalonte këtë incident, shkruan Periskopi.
Por kush kishte qenë ky person? Loshi, në shkrimin e tij zbulon se më vonë e kishte marr vesh që ky njeri ishte Oliver Ivanoviqi.
Sipas Loshit, Ivanoviqi atë kohë ishte kryekomandat i ‘Rojave të Urës’ dhe me gjithë përkushtimin e tij ishte angazhuar që ta ndante qytetin e Mitrovicës.
Oliver Ivanoviq u vra të martën me 16 janar 2018 në afërsi të zyrës së tij në veriun e Mitrovicës./Periskopi/
Shkrimi i plotë:
Miq të nderuar, shumë individë mendojnë që ia këpus kot kur shohin postimet e mia nga Kanadaja për situatën politike në Kosovë. Kështu mund të kenë menduar disa të tillë edhe kur kanë lexuar postimet e mia për rastin e Oliver Ivanoviqit. Mos harroni se deri në moshën 39 vjeçare kam jetuar në Kosovë dhe kam pasur një jetë shumë aktive profesionale, politike dhe ushtarake deri në limitet që i kam vënë vetes për shkaqe objektive dhe humanitare, kur angazhimin tim si mjek i një rajoni të varfër e kam konsideruar më fisnik sesa të isha anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, të Shtabit të Zonës Operative të Drenicës, apo anëtar i ekipit të radios Zëri i Kosovës e ku kërkohej largimi im fizik nga pacientët e mi. Shumë njerëz nuk e dinë këtë, por janë disa emra të njohur për publikun, si Rexhep Selimi, Hashim Thaçi, Gani Koci, Martin Çuni etj para të cilëve qëndrimi im ka qenë i qartë që të mos merrja asnjë detyrë që do të më ndante fizikisht nga pacientët e mi e më vonë edhe nga roli im si organizator kryesor i shërbimit mjekësor në luftë për komunën e Skenderajt.
Tani dua të dalë të “njohja” ime me Oliver Ivanoviqin.
Në përfundim të luftës kam bërë shumë filmime me kamerën time për Kosovën e dalë nga lufta me qëllim të një filmi dokumentar, të cilin nuk e bëra asnjëherë meqë filma të tillë në atë kohë u bënë nga njerëz më profesionistë se unë dhe që kishin teknikë më të sofistikuar sesa vetëm një kamerë digjitale siç e kisha unë. Sidoqoftë, një ditë mund të ndodh që ta bëj një klasifikim materiali dhe ju mund ta shihni një film dokumentar nga unë. Në njërin nga filmimet e mia do të mund ta shihni edhe lëvizjen time, përkatësisht pamjet e urës së Ibrit kur unë i afrohem fundit të saj verior dhe komunikoj me disa fëmijë serbë. Ndërkohë njëri nga ata fëmijë largohet nga unë dhe i drejtohet një personi serb që të vinte për të komunikuar me një gazetar që po inçizonte me kamerë dhe po iu shtronte pyetje njerëzve të atyshëm për urën, për rojet e saj dhe për jetën që zhvillohej përtej urës. Këtë nuk do të mund ta realizoja pa lejën e KFOR-it në emër të Radio Televizionit Shqiptar, të cilin e kisha arritur ta siguroja. Personi që po dëgjonte me kujdes fëmijën serb pa asnjë hezitim kalon rrugën drejt urës dhe më afrohet mua në një distancë tepër të afërt që nënkupton qëllimin e tij intrusiv dhe kërcënues ndaj meje, ndërkohë që në “mbrojtjen” time si gazetar janë dy ushtarë të KFOR-it françezë. Ky personi që për mua ishte njëri nga rojat e urës, sapo sheh bexhin tim me shenjen e TVSH-së tërbohet, më zë për fyti dhe më shtyen duke më quajtur terrorist shqiptar dhe duke më thënë se unë nuk guxoj të inçizoj aty ku është Serbi, porse duhet të ia mbathi për Shqipëri! Ndërkohë që me mua ishte edhe djali i axhës, Zenel Loshi dhe që ne fillojmë konfliktin fizik me rojën serbe të urës përderisa tensioni i kolegëve të tij përtej urës po rritej dhe po bëheshin gati ta ndihmonin ndërhyn KFOR-i françez dhe ma ndalon qëndrimin tim afër skajit verior te urës duke më kthyer prapa, ndërkohë që kthen prapa edhe serbin që më kishte sulmuar. (Do të përpiqem që ta gjej këtë insert dhe ta postoj në formë videoje në FB, por është e pamundur që të shihet konflikti meqë personi që më sulmoi mua së pari ishte kujdesur që të ma fikte kamerën.) Pas disa ditësh kam parë Oliver Ivanoviqin në televizor dhe kam kuptuar se roja serbe e urës që më kishte sulmuar ishte ai vetë. Oliver Ivanoviqi në atë kohë ishte kryekomandant i rojave të urës që nuk vraponte pas uzurpimit të pronave private e publike, siç bënin komandantët tanë, por që tërë energjinë e vet e kishte drejtuar në ndarjen e Mitrovicës. Gjyqi e ka shpallur fajtor Oliver Ivanoviqin dhe e ka denuar me shtatë vjet burgim për krime kundër shqiptarëve, pavarësisht që gjykata supreme e ka liruar atë. Viktimat e tij e kanë njohur mirë Ivanoviqin dhe bëmat e tij kriminale ndaj shqiptarëve të Mitrovicës. Krejt ajo çka më dhemb për Oliver Ivanoviqin është pse gjykata supreme e liroi të pafajshëm këtë kriminel. Më dhemb pse ai u vra pa e marrë denimin e merituar nga drejtësia dhe fare pse u vra nga njerëzit që ai vetë i kishte ushtruar dhe ndërsyer kundër shqiptarëve. Ai që mbyti shumë njerëz në gropën e vet, përfundoi edhe vetë në të njëjtën gropë. Fat më të mirë nuk ka merituar.