Nuk duhet përjashtuar mundësinë që Serbia e Kosova të arrijnë marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve në gjashtë ose dymbëdhjetë muajt e ardhshëm, ndërsa momentalisht nuk vërehet asnjë mundësi kompromisi, kanë thënë për gazetën “danas” ato që ajo i quan burime të saj diplomatike.
Ata kanë komentuar atë që Vuçiq e ka thënë në “The Guardian” se beson në mundësinë e zgjidhjes së çështjes së Kosovës brenda gjashtë muajve dhe që kishte shprehur gatishmërinë për bisedime rreth çdo çështjeje që do të kuptonte zgjidhje kompromisi. Sipas mendimit të bashkëbiseduesve të gazetës, mesazhi i tillë i Vuçiqit është i dedikuar për opinionin e Perëndimit.
Burimet e kësaj gazete përkujtojnë se gjetja e shpejtë e zgjidhjes për Kosovën do të shkonte sipas dëshirës së Perëndimit, para së gjithash të Amerikës, BE-së e Gjermanisë, porse Rusia do ta kundërshtonte fuqimisht skenarin që do të përfshinte anëtarësimin e Kosovës në OKB, madje edhe si vëzhguese.
“Rusia përpiqet për modelin unik për Kosovën, Abhazinë, Pridnjestrinë, Osetinë Jugore me ndërmjetësim të OKB-së. Për Moskën, zgjidhje parciale e Kosovës nuk do të ishte e pranueshme dhe rusët në këtë rast do t’ia kthenin shpinën Beogradit. Edhe Vuçiq, me një pjesë përkrahësish, do ta kthente po ashtu shpinën. Por, nuk duhet përjashtuar mundësinë që amerikanët dhe rusët të bëjnë një tregti politike dhe në pako me këtë do të ishte edhe zgjidhja e çështjes së Kosovës”, kanë thënë bashkëbisedues të “danasit”, përcjell Koha.net.
Ata kanë theksuar se në Projekt strategjinë e sigurisë kombëtare dhe në Projekt strategjinë e mbrojtjes së Serbisë, e cila gjatë muajit maj do të dalë në debat publik, thuhet Beogradi nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës.
“Pa dyshim se Vuçiq është para presionit të Perëndimit që të arrijë marrëveshje me Kosovën, gjë që ai edhe e tha për Guardian. Porse aktualisht ai nuk vërehet – ndarja e Kosovës është e papranueshme për BE-në dhe Amerikën, ndërsa Prishtina insiston në OKB. Pra, krijohet përshtypja se askush nuk është i gatshëm në çfarëdo kompromisi, të cilin e përmend Vuçiq”, përfundojnë bashkëbisedues të gazetës.