Mogerini porosit Maqedoninë: Mos lejoni t’ju ikë treni

Keni një tren në të cilin duhet të hipni dhe në qoftë se e lëshoni, nuk jam e sigurt nëse në të ardhmen e afërt do të keni një tren të ri”.

Këto janë fjalët e përfaqësueses së lartë për politika të jashtme dhe siguri të BE-së, Federika Mogerini, të cilat i ka thënë në takimin me zv/kryeministrin Bujar Osmani dhe shefin e diplomacisë së Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, në Bruksel.

Këtë paradite në një konferencë me gazetarët këtë e deklaroi Bujar Osmani, i cili theksoi se Qeveria po bën të gjitha përpjekjet e nevojshme për ta kapur trenin e vitit 2018.

Tre sfera më të rëndësishme në të cilat duhet të ketë progres të dukshëm janë gjyqësori, siguria dhe administrata, tha Osmani.

“Kuptohet se reformat do të vazhdojnë edhe pas përfundimit të planit 3-6-9, me dinamikën e njëjtë ose më të fuqishme, megjithatë pas pjesës “9” nuk presim të ketë pjesë “12”, por presim t’i fillojmë negociatat me Bashkimin Evropian”, tha Bujar Osmani, zv/kryeministër për çështje Evropiane.

Osmani tha se në një takim me presidentin Ivanov ka biseduar edhe në lidhje me porositë e dërguara nga Brukseli, dhe ka kërkuar prej tij që të gjithë së bashku të punojnë në drejtim të krijimit të konsensusit dhe t’i lënë anash të gjitha interesat, qoftë partiake apo personale, dhe të punojnë për qëllimet nacionale.Zv/kryeministri të njëjtën gjë e ka kërkuar edhe nga partia opozitare VMRO-DPMNE.

“Kërkova nga zotëri Ivanov të ndihmojë në këtë proces për arritjen e konsensusit nacional, kërkoj nga opozita, dhe përmes kontakteve të drejtpërdrejta me ta, megjithatë edhe publikisht të jenë pjesë e këtij momenti. Ne kemi përgjegjësi historike ta shfrytëzojmë periudhën e ardhshme.

Mendoj se gjeneratat e ardhshme do të na dënojnë në qoftë se për shkak të interesave partiake ose agjendave personale nuk arrijmë t’i konsolidojmë radhët tona dhe që në periudhën e ardhshme, tashmë në qershor ti fillojmë negociatat për anëtarësim në BE, por edhe të bëhemi anëtare e NATO-së”, tha Osmani.

Nga kabineti i presidentit Gjorgje Ivanov, për TV21 thonë se ai në takimin me Osmani, e ka theksuar nevojën për zbatimin e reformave në sferat më prioritare me qëllim integrimi i Maqedonisë në BE.

“Kur bëhet fjalë për qëllimet strategjike të Republikës së Maqedonisë, qëndrimi i presidentit Ivanov është se nevojitet konsensus nga të gjitha faktorët e shoqërisë”, nga Kabineti i Presidentit të RM-së.Zv/kryeministri i hodhi poshtë spekulimet se Brukseli e ka kritikuar Qeverinë, duke thënë se deri më tani nuk ka vërejtje zyrtare as vërejtje jozyrtare.

Megjithatë, ai në bisedimet ka kërkuar nga BE-ja të mos flasin “me dorëza” por haptazi t’i tregojnë vërejtjet dhe përshtypjet e tyre./21Media

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme