Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini dhe ndihmës sekretari shtetëror për çështje evropiane dhe euro aziatike të SHBA-së, Aron Ves Mitchell sot do të qëndrojnë në vizitë pune në Republikën e Maqedonisë për mbështetjen e referendumit për Marrëveshjen e Prespës.
Mogherini do të ketë takime me kryeministrin Zoran Zaev, me presidentin Gjorge Ivanov, ndërkaq do të takohet edhe me liderin e opozitës, Hristian Mickovski. Siç kumtoi shërbimi qeveritar për shtyp, Mogherini dhe Zaev do ta vizitojnë Çarshinë e Vjetër të Shkupit, ku do të japin deklarata të shkurta për mediumet.
Qëllimi i vizitës, thonë nga kabineti i Mogherinit, është që të bisedojë për “të ardhmen e marrëdhënieve dhe perspektivën e integrimit në BE për vendin”, lajmëroi korrespondentja e MIA-s nga Brukseli.
Përfaqësuesja e lartë përkujtoi se e përshëndetë “marrëveshjen historike” të arritur me Greqinë për emrin dhe se BE-ja e mbështetë vendin, në pajtim me “angazhimin e përforcuar të BE-së për Ballkanin Perëndimor”.
Ndihmës sekretari shtetëror amerikan për çështje evropiane dhe euro aziatike Wes Mitchelll, siç kumtoi Stejt Departamenti, do të ketë takime me kryeministrin Zaev dhe me përfaqësues tjerë zyrtarë për mbështetje të Marrëveshjes së Prespës mes Maqedonisë dhe Greqisë dhe referendumit të ardhshëm më 30 shtator.
Mitchelll në Shkup do të mbajë takime edhe me përfaqësuesit e partive parlamentare dhe të bashkësisë së biznesit, me të cilët do të këmbejë mendime dhe do ta theksojë përkrahjen amerikane për inkuadrim të Maqedonisë në familjen evropiane, thuhet në kumtesë.
Siç kumtuan nga pres-shërbimi qeveritar, Zaev dhe Mitchelll pas takimit do të japin deklarata për mediat para platosë së Qeverisë me fillim në ora 18:30.
Fundjavën e kaluar Maqedoninë e vizitoi senatori amerikan dhe kryesues i Komisionit për siguri shtetërore Ron Johnson, i cili është një nga bashkësponsorët e rezolutës së Senatit për mbështetje të Marrëveshjes së Prespës, ndërsa fundjavën e ardhshme edhe një përfaqësues i lartë amerikan do ta vizitojë Maqedoninë – sekretari i Mbrojtjes së SHBA-së James Mattis. Mattis vjen në Shkup që të shprehë përkrahje të qartë për referendumin e ardhshëm për çështjen e emrit, por edhe brengë për shkak të involvimit të mundshëm të Moskës në këtë proces.
“Do të shkoj t’i vizitoj miqtë tanë të Maqedonisë dhe qartë do të bëj me dije se SHBA-ja e përkrah popullin e Maqedonisë”, tha Mattis në deklaratë për gazetarët në Pentagon.
Mattis theksoi se është i brengosur se Rusia mund të involvohet në procesin e referendumit në Maqedoni.
Vizitat të cilat në Maqedoni në periudhën e kaluar i bëjnë personalitete të rëndësishme politike të NATO-s dhe BE-së, sipas ministres së Mbrojtjes Radmilla Shekerinska, paraqesin edhe një konfirmim se shteti është në rrugën e duhur, dhe për këtë e ka përkrahjen e tillë.
“Të hënën për vizitë vjen njeriu i parë i Pentagonit, njeriu i parë i armatës më të fuqishme në botë James Mattis, që po ndodh për herë të parë në 14-të vitet e fundit. Harruam si duket vizita e një ministri apo sekretarit të mbrojtjes të SHBA-së, edhe pse ky vend është partneri ynë strategjik politik dhe ushtarak. Kjo tregon sa është i madh interesi për ne dhe mbështetja për atë që ne e kemi punuar në vitin e fundit”, shtoi Shekerinska.
Ditët e kaluara në aktivitete intensive diplomatike në Shkup qëndruan dhe shfaqën mbështetje për referendumin e suksesshëm kancelarja gjermane Angela Merkel, sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, kancelari austriak Sebastian Kurz, ministrat e Punëve të Jashtme të Luksemburgut dhe të Holandës Jean Aselborn dhe Stef Blok, ndërsa mbështetja erdhi edhe nga përfaqësues të lartë nga shumë vende të rajonit.