Pas mbledhjes së Këshillit të ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve të BE-së, që u mbajt në Bruksel, ku është diskutuar situata politike në Ballkan dhe veçanërisht në Maqedoni, përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini ka dhënë një deklaratë kushtuar Maqedonisë.
Në pyetjen se a është e shqetësuar për situatën në Maqedoni, Mogherini është përgjigjur: “Po, jam e shqetësuar, por mundohem shqetësimin ta lë anash dhe të shikoj se ku është potenciali për dalje nga kriza. Kjo që po kalon Shkupi këto ditë është akoma një krizë institucionale. Frika ime më e madhe është ajo të mos shndërrohet në krizë ndëretnike, dhe prandaj mesazhi themelor që përcolla te politikanët ishte: Mos luani me zjarrin, mos shkaktoni një konflikt etnik, ai do ta rënonte vendin dhe ndoshta do të përhapej në vendet përreth.
Unë besoj se ka instrumente, nga mençuria e Presidentit deri te kapaciteti i Parlamentit për të zgjedhur një kryeparlamentar, për të zhbllokuar situatën.
Kjo krizë institucionale mund të zgjidhet me instrumentet që Shkupi zyrtar i ka, pa përzierjen nga jashtë, por sigurisht është normale që miqtë të kujdesen për gjendjen e partnerëve.
Kam pasur një diskutim të sinqertë dhe konstruktiv me të gjithë liderët politikë në Parlament dhe unë shpresoj se mençuria do të fitojë”, ka deklaruar diplomatja italiane.
Mogherini qëndroi në Shkup para disa ditëve dhe i bëri thirrje direkte Ivanovit që t`ia jep mandatin Zoran Zaevit, shkruan Zhurnal.