“Do të jetë një vit intensiv për përgatitjet drejt hapjes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Më lejoni të jem e qartë: kjo mundësi duhet të kapet tani! Nuk është një lëshim që po bëjmë ne, është në interesin e qytetarëve europianë, brenda dhe jashtë Bashkimit Europian. Në Ballkan, sot është më se e qartë se Bashkimi Europian është pikë reference. Më lejoni t’u them diçka edhe atyre që kanë frikën se fuqi të tjera po bëhen gjithnjë e më të pranishme në rajon: për sa kohë që ne të jemi të pranishëm në rajon, nuk ka hapësirë për të tjerë”, tha Mogherini.
Përfaqësuesja e lartë e BE-së solli në vëmendje se, viti i kaluar ishte jashtëzakonisht intensiv, por muajt e ardhshëm do të jenë edhe më vendimtarë, duke u ndalur edhe te marrëdhëniet Kosovë-Serbi.
“Besoj se ekziston një mundësi reale që presidentët Vuçiç dhe Thaçi të arrijnë një marrëveshje që do të adresojë të gjitha çështjet e hapura mes Beogradit dhe Prishtinës. Një marrëveshje gjithëpërfshirëse, detyruese ligjërisht për të normalizuar marrëdhëniet mes dy palëve. Një marrëveshje që të jetë në përputhje të plotë me ligjin ndërkombëtar, e që do të mund të ndihmojë në qendrueshmërinë e të gjithë rajonit. Më lejoni të përmend edhe data, sepse viti i ardhshëm 2019 do të jetë edhe 20-vjetori i luftës në Kosovë. Për këtë arsye besoj se ka ardhur koha që t’i jepet fund atij konflikti”, tha më tej Mogherini, transmeton Top Channel.
Federica Mogherini u ndal edhe në çështjen e emrit mes Athinës dhe Shkupit.
“Mes palëve u manifestua një marrëveshje gjatë verës, ndërkohë që në Maqedoni do të zhvillohet brenda pak javësh një referendum për emrin. Shpresoj që së shpejti, ai vend të quhet Republika e Maqedonisë së Veriut”, deklaroi Mogherini