Mogherinit i kërkohet hetim në EULEX

Mos-zgjedhja e një gjyqtareje gjermane në EULEX, ka bërë që i tërë konkursi të anulohet dhe çështja të mbërrijë deri te Mogherini.

KohaVisioni ka siguruar të gjitha shkresat dhe vendimet për këtë proces, të nisur në muajt e verës, si pjesë e rikonfigurimit të misionit evropian.

Gjyqtarët ishin intervistuar në një proces të brendshëm për t’u rizgjedhur si gjyqtarë në Gjykatën Supreme, atë të Apelit dhe në Gjykatën Themelore.

Paneli që ka intervistuar kandidatët ka qenë i përbërë nga Presidenti i Gjyqtarëve të EULEX-it, zëvendësi i tij dhe Udhëheqësi i divizionit ekzekutiv të misionit evropian.

Vendimi për përzgjedhjen e gjyqtarëve i ishte dërguar Shefes së Misionit, e cila e kishte pranuar atë dhe më 29 shtator gjyqtarët e suksesshëm ishin informuar se do të mbesin në pozitat e tyre.

4 gjyqtarët që kanë dështuar në proces të përzgjedhjes, janë ankuar, por ankesat e tyre ishin refuzuar nga një panel i apelit.

Vetë shefja e misionit, Alexandra Papadopoulou, në letrën e saj e ka pranuar se ishin ndjekur të gjitha procedurat standarde dhe nuk kishte kritika në të.

Por vetëm dy ditë më vonë, ajo përmes kësaj letre, i ka informuar gjyqtarët se procesi i përzgjedhjes është anuluar dhe ata duhet të kalojnë në një proces të dytë të përzgjedhjes.

KohaVisioni merr vesh nga burime brenda EULEX-it se kjo është bërë për shkak të dështimit që gjyqtarja gjermane Jennifer Seel të rizgjidhet në pozitën e saj, meqenëse ajo nuk kishte kaluar intervistën.

Pas kësaj, mësohet se autoritetet gjermane ishin ankuar në Bruksel dhe gjithashtu, ankesë kishte bërë edhe Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë.

Në letrën e saj, Papadopoulou pranon se rezultati nuk është i favorshëm sepse bie ndesh me objektivin e misionit, sipas të cilit për staf ndërkombëtar synohet përzgjedhje gjithëpërfshirëse dhe diversitet të nacionaliteteve në secilën njësi ku është e mundshme.

“Derisa provat kanë dëshmuar përtej dyshimit se procesi është kryer në mënyrë të drejtë dhe të barabartë, kam shqetësim se gara ka mundur të mos prodhojë rezultatin e saktë dhe në përputhje me principin e cituar më lart”, shkruan shefja e EULEX-it.

Por, 8 gjyqtarët e përzgjedhur janë ankuar në një letër drejtuar shefes së EULEX-it, duke e shprehur shqetësimin se kjo mund të konsiderohet ndërhyrje politike në sistemin e drejtësisë dhe kanë listuar edhe arsye të tjera që sipas tyre, vendimi nuk është i drejtë.

“Duke marrë në konsideratë arsyet e lartcekura, në emër të drejtësisë dhe për hir të EULEX-it dhe reputacionit në punën e tyre të përditshme në gjykata, ne me mirësi kërkojmë që të rishikoni dhe ndryshoni vendimin tuaj dhe të gjeni një zgjidhje alternative, që me siguri ju mund ta gjeni, për çfarëdo problemi që ju keni hasur e që ju ka bërë të merrni këtë vendim”, thuhet në ankesën e nënshkruar nga gjyqtarët e EULEX-it.

Me të gjitha këto është informuar edhe Shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini.

Një avokat britanik për të drejtat e njeriut, emër i njohur për redaksinë, i ka shkruar Përfaqësues së lartë të BE-së, duke e informuar për shqetësimin.

Televizioni e ka siguruar edhe letrën e tij, ku shprehet brenga e madhe për ndërhyrje në pavarësinë e gjyqësorit.

“Vendimi i shefes së EULEX-it është turp për BE-në, sundimin e ligjit në rajon dhe e vendos pavarësinë e gjyqësorit 1000 vjet prapa. Kjo është ajo për çka doja t’ju informoja dhe t’ju ftoj që institucionet relevante të BE-së të kryejnë një hetim të duhur për këtë. Në ndërkohë, procesi i ri i përzgjedhjes duhet të ndalohet”, thuhet në letrën dërguar Mogherinit.

“Misioni i mohon fuqishëm akuzat të cilat pohojnë ndonjë ndërhyrje politike të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, dhe përkundrazi, përsëritja e përzgjedhjes synon të sigurojë përzgjedhje të drejtë dhe pa asnjë mundësi të animit ose paragjykimit”, është thënë në një përgjigje të EULEX-it për KTV-në.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme