Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi, ka shkuar në Prokurorinë e Posaçme ditën e sotme, për të zbatuar masën e sigurisë që i është caktuar ndaj saj nga GJKKO-ja, atë të “detyrim paraqitje”.
Kryemadhi ka ankimuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje” ditën e shtunë, më 1 nëntor, përmes postës, në Apelin e Posaçëm.
Mësohet se kreu i PL-së, Ilir Meta, i cili ndodhet në paraburgim, do të ankimojë ditën e hënë masën e sigurisë të caktuar ndaj tij nga GJKKO-ja.
Seanca gjyqësore e GJKKO-së u mbajt më 23 tetor, e cila pati dhe shtyrje për 4 orë pasi Ilir Meta pati përplasje me kreun e SPAK-ut, Altin Dumani dhe prokurorët e tjerë të posaçëm.
Sipas njoftimit zyrtar të SPAK-ut, Meta akuzohet për veprat penale:
“Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në 3 raste nga të cilat në dy raste është kryer në bashkëpunim
“Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë
“Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i cdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim”
Për këto vepra penale, Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Ilir Metën.
Për ish-bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi, është caktuar masa e sigurisë “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, për kryerjen e veprave penale:
“Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në 2 raste dhe në bashkëpunim,
“Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim,
“Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i cdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim”