Mori 3 mijë euro ryshfet, arrestohet oficeri i policisë gjyqësore në Dibër! Caktohet masa e sigurisë dhe për një tjetër efektiv dhe qytetar

Është arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Posaçme një oficer i policisë gjyqësore në Komisariatin e Policisë Dibër, pasi i ka kërkuar dhe i ka marrë një shtetasi nën hetim 3 mijë euro ryshfet.


Sipas hetimeve, oficeri me iniciale Sh.C., i ka marrë shtetasit nën hetim, me iniciale F.K., shumën prej 3000 mijë euro për të favorizuar pozitën procedurale të shtetasit A.Sh. në çështjen penale kundër tij.

Oficeri akuzohet si i dyshuar për veprën penale “Korrupsion pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”.

Ndërkohë është marrë nën hetim dhe i është caktuar masa e sigurisë “Detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, shtetasit me iniciale A.P., në cilësinë e oficerit të policisë gjyqësore të Prokurorisë pranë Gjykatës së Dibrës.

SPAK thotë se oficeri A.P., i ngarkuar me hetimin e çështjes penale në ngarkim të shtetasit A.Sh., me veprimet dhe mosveprimet e tij nuk ka përmbushur në mënyrë të rregullt detyrën ligjore.

“Duke qenë në dijeni të komunikimeve me përmbajtje korruptive, ai nuk ka kryer në kohën e duhur ndonjë veprim për referimin e tyre në prokurorinë përkatëse, por ka vepruar pothuaj dy vite më vonë, vetëm kur viktima e veprës penale e shprehu këtë fakt në Gjykatë, pasi është njohur me aktet, nuk i ka referuar komunikime me interes dhe nuk është kryer identifikimi i personave të dyshuar për kryerjen e akteve korruptive edhe pse komunikimet e bëni të qartë këtë fakt”, njofton SPAK.

Ndërkohë, është caktuar masa e sigurimit personal “Detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore” edhe ndaj shtetasit nën hetim me iniciale F.K., si i dyshuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë në drejtësisë ”. Sipas njoftimit, kjo masë ende nuk është ekzekutuar.

Njoftimi i SPAK

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar procedimin nr. 178 të vitit 2022 për veprat penale: Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publikeKorrupsioni pasiv i personave  ushtrojnë funksione publikeKorrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë në drejtësisë dhe Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë në drejtësisë, “Shpërdorim detyre” parashikuar nga nenet 244, 259, 319 dhe 319/ç, të Kodit Penal.

Nga analiza e veprimeve hetimore të kryera deri tani rezulton se:

a. Shtetasi nën hetim Sh.C., në cilësinë e oficerit të policisë gjyqësore në Komisariatin e Policisë Dibër i ka kërkuar dhe i ka marrë shtetasit nën hetim F.K., shumën prej 3000 mijë euro për të favorizuar pozitën procedurale të shtetasit A.Sh. në çështjen penale kundër tij, [konkretisht procedimi penal nr. 9/2020 i Prokurorisë Dibër].

b. Shtetasi nën hetim A.P., në cilësinë e oficerit të policisë gjyqësore të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, i ngarkuar me hetimin e çështjes penale në ngarkim të shtetasit A.Sh., me veprimet dhe mosveprimet e tij nuk ka pëmbushur në mënyrë të rregullt detyrën ligjore (psh; duke qenë në dijeni të komunikimeve me përmbajtje korruptive, ai nuk ka kryer në kohën e duhur ndonjë veprim për referimin e tyre në prokurorinë përkatëse, por ka vepruar pothuaj dy vite më vonë, vetëm kur viktima e veprës penale e shprehu këtë fakt në Gjykatë, pasi është njohur me aktetnuk i ka referuar komunikime me interes dhe nuk është kryer identifikimi i personave të dyshuar për kryerjen e akteve korruptive edhe pse komunikimet e bëni të qartë këtë fakt)

Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr. 156 datë 27.12.2024, ka vendosur:

• Caktimin e masës së sigurimit personal shtrëngues “arrest me burg” ndaj shtetasit nën hetim Sh.C., i biri i Miftarit dhe i Zyrakes, i datëlindjes 28.03.1960, lindur dhe banues në Dibër, parashikuar nga neni 238 i K. Pr. Penale, si i dyshuar për veprën penale “Korrupsion pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, parashikuar nga neni 319/ç i Kodit Penal.

• Caktimin e masës së sigurimit personal shtrëngues Detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj shtetasit nën hetim A.P., i biri i Kadriut dhe i Vjollcës, i datëlindjes 11.05.1980, lindur dhe banues në Dibërparashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, si i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

• Caktimin e masës së sigurimit personal “Detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj shtetasit nën hetim F.K., i biri i Qazimit dhe i Sadetes, i datëlindjes 21.02.1962, lindur në Dibër, fshati Staravec dhe banues në Tiranë në adresën: Rruga “Selaudin Zorba”, banesë private, parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, si i dyshuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë në drejtësisë ”, parashikuar nga neni 319 i Kodit Penal. (kjo masë ende nuk është ekzekutuar).

Masat e tjera janë ekzekutuar më 28.12.2024, nga shërbimet e policisë gjyqësore të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, të cilën, gjejmë rastin ta falenderojmë për bashkëpunimin.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme