“Mos pranojmë që çdo injorant që i ka thënë vetes politikan apo gazetar, ta fyej inteligjencën tonë!”

Shkrimtari ynë Kim Mehmeti , i ka komentuar raportimet mediatike për mundësinë që LSDM-ja e BDI-ja të formojnë koalicionin e ri qeveritar. Sipas tij, kësaj radhe, BDI-ja nuk do i përmbahet parimit të deridjeshëm – ‘fitues me fitues’, e që nuk e lejonte të shkelë mbi vullnetin e popullit maqedonas, por mbi atë ‘humbësi me humbësin’, që të mundëson ta nxjerrësh maskën e të shihet se ke vetëm një parim – të shkelësh mbi çdo gjë, vetëm për të ardhur në pushtet. Mehmeti thotë se edhe deri në zgjedhjet e ardhme parlamentare, do harxhohet koha shqiptare, me çka qeveritarët shqiptarë do na gënjejnë me makijazhet ligjore dhe me postet e larta shtetërore, që do marrin shqiptarët.

Shkrimtari Mehmeti vlerëson se tani e tutje, zhurma mediatike do jetë edhe më e madhe, me qëllim që të mbulohen veprimet joparimore të subjekteve politike shqiptare, përfshi edhe Aleancën për Shqiptarët, që në të vërtet, gjithmonë ka qenë në aleancë me ata që drejtuesve të saj u kanë premtuar mbijetesë politike. Më poshtë ua sjellim deklaratën e plotë të shkrimtarit Kim Mehmeti të publikuar në faqen e tij të FB.

“Flini të qetë, sepse mediat raportojnë që LSDM’ja dhe BDI’ja janë afër marrëveshjes për formimin e qeverisë së re! Kuptohet, aty ku është ‘kryeplaku’, janë edhe pishtarët e opozitarizmit shqiptarë – ata të Aleancës për Shqiptarët! Pra BDI-ja ka heq dorë nga parimi ‘fituesi me fituesin’ dhe tani do veprojë sipas parimit ‘humbësi me humbësin’! Sa u përket atyre të Aleancës, ata edhe ashtu kanë vetëm një parim: Shko me cilindo që të afron pranë grazhdit të pushtetit! E në ndërkohë, duket se vetëm LSDM’ja do u mbetet besnike parimeve të saja, që nga koha e ‘paraluftës’ e deri më sot: s’ka ndryshim të Kushtetutës dhe se vetëm shqiptari i korruptueshëm, është shqiptar i përdorshëm për shtetin! Shkurt e shqip: do kemi qeveri të re, me strategji të vjetër, për blerjen e kohës shqiptare, deri në zgjedhjet e ardhme. Në ndërkohë, gënjeshtarët e BDI-së, që deri dje na quanin shërbëtorë të LSDM’së neve që e kritikonim VMRO-DPMNE’në, do e bëjnë të kundërtën! Dhe kështu, do vazhdojë grindja dhe përçarja mes nesh, deri në zgjedhjet e ardhme, kur BDI’ja sërish do na premtojë se do e ‘avancojë edhe tutje zyrtarizimin e gjuhës shqipe’! Kuptohet, tani e tutje do shpeshtohen edhe ardhjet e ish ambasadorit të Shqipërisë në Shkup, me miqtë e tij amerikanë, që të na tregojnë se cilat janë partitë tona më të besueshme! Njësoj siç do bëhen edhe më të zëshëm gazetarët e ‘pavarur’ që do na ftojnë në debate televizive për të na treguar se nëse nuk dimë si duhet të sillemi ndaj ‘kryeplakut’, atëherë mjafton të veprojmë si opozitarët e bashkuar të Aleancës! Pra flini të qetë: zhurma do jetë e plotë si edhe në të kaluarën, me çka edhe nuk do na mbetet asgjë tjetër përpos të mos pranojmë që çdo injorant që i ka thënë vetes politikan apo gazetar, ta fyej inteligjencën tonë!”

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme