Mos u turpëro nga vetvetja pse zgjodhe të jesh si ata!

Xhevdet POZHARI

Në fushatën e zgjedhjeve lokale, me ose pa dëshirë, u përfshimë edhe ne që s’na takonte gjithaq të shprehim haptazi përkrahjen e kandidaturave të caktuara, – gazetarët.

Në këto rrethana, të përkrahësh kandidaturën e një kandidati të Vetëvendosjes rrezikon që më lehtë të identifikohesh si “partiak” shkaku i toneve të forta që ka kjo parti. Mirëpo, në anën tjetër, kjo të jep edhe satisfaksion sepse dihet që e bën me bindje dhe me zemër, e jo për thellësi të xhepit.

Shumë gazetarë të tjerë u rreshtuan në tabore të kundërta dhe direkt apo indirekt favorizuan grupe të tjera politike. Por, për dallim nga një pakicë që haptazi viheshim në mbështetje të një kandidature të VV’së, të tjerët u rropatën që të ruajnë gjoja “neutralitetin”. Në këtë shoqëri skajshmërisht të politizuar, vetëm neutral nuk mund të jesh. Më shumë sesa hipokrizi, përpjekja dëshpëruese të mbështillesh në petkun e të “pavarurit” është vetëm një vetëmashtrim i atyre që mendojnë se në këto zgjedhje nuk u panë fytyrat e vërteta të gjithsecilit nga ne. Sado që kritikohet Berat Buzhala, megjithatë ai i ka të qarta pozicionet. Ç’tju bësh të tjerëve që përkrahnin të njëjtat qëllime, por iu vinte turp të identifikoheshin haptazi në një krah me të?

Të jesh kalkulues dhe të përpiqesh të mbahesh me të gjithë, nuk është gjithmonë e qëlluar ndonëse përkohësisht mund të të sjellë dobi dhe profite nga më të ndryshme, rasti konkret është Baton Haxhiu.

Mirëpo, ka ardhur koha që midis interesit dhe “pavarësisë së shtirur” të paktën kur vendosim të përfshihemi në një fushatë, të themi haptazi bie fjala SE kandidatura e Xhafer Tahirit në Vushtrri ishte më e mira, se Arban Abrashi pavarësisht humbjes në Prishtinë vetvetes ia siguroi një karrierë të suksesshme në të ardhmen në politikë. Nëse nuk do të na mungonte guximi dhe sinqeriteti, do të vlerësonim edhe kandidaturën e Shaqir Totajt e cila mbase edhe do të arrinte ta mbulonte të kaluarën kriminale të pararendësit të tij, Ramadan Mujës, sikur përballë mos të kishte një kandidaturë të fuqishme si Mytaher Haskuka.

Shumëçka u tha në këto zgjedhje, por disa të vërteta mund të zbërthehen edhe në heshtjen tonë kolektive. Kjo mbase shkaku se nuk dihet ku përfundojnë fijet e interesave të njërës palë, e ku ato lidhen nyje me interesat e palës tjetër. Por, një gjë është e pastër si loti – në këto zgjedhje u pa qartë fytyra e secilit nga ne, edhe kur thumbuam, edhe kur heshtëm një të vërtetë, por edhe atëherë kur menduam se njerëzit nuk e shohin fytyrën tonë të vërtetë.
Unë nuk turpërohem nga vetvetja, po ti?

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme