Gazetare: Ajnur Bafqari
Sinoptikët thonë se edhe në ditët në vazhdim do të vazhdojë aktiviteti i ciklonit që tashmë ndodhet mbi Maqedoninë e Veriut. Reshjet e shiut do të vazhdojnë edhe më tej, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që në disa vende të ketë edhe stuhi të përkohëshme me shi të rrëmbyeshëm, bubullima dhe erë. Stabilizim kalimtarë pritet të shtunën, ku do të kemi mot me diell dhe vranësira mesatare, ndërsa prej të dielës përsëri rikthehen reshjet dhe ulen temperaturat. Temperaturat gjatë javës do të sillen prej 12 deri në 20 gradë Celsius.
“Njësoj do të mbetet edhe në ditët në vazhdim. Do të kemi mot të ndryshueshëm me vranësira me reshje lokale të shiut, kryesisht në orët e pasdites dhe mbrëmjes. Në më shumë vende gjatë ditës së nesërme do të ketë paraqitje të vransirave jostabile me shi të rrëmbyeshëm dhe bubullima nuk është e përjashtuar që në disa vende të ketë edhe stuhi të përkohëshme. Të enjten dhe të premten do të kemi paraqitje më të izoluara të motit jostabil me shi të rrëmbyeshëm dhe bubullima. Stabilizim kalimtarë do të kemi të shtunën që nënkupton se vetëm të shtunën do të kemi mot me diell dhe vransira mesatare, ndërsa të dielën presim reshje të reja shiu dhe rënie temperaturash”, deklaroi Lençe Rizova, sinoptike.
Nga Qendra për Menaxhim me krizat thonë se sipas të dhënave nga stacionet hidrologjike, janë regjistruar nivele të larta të lumenjëve të vendit, por thonë se për momentin nuk ka rrezik për përmbytje.
“Është vërejtur një rritje e ndjeshme e niveleve të ujit në lumenjtë në pjesën verilindore të vendit (lumi Kriva, lumi Pçinja dhe lumi i Kumanovës), ku gjatë ditës pritet një rritje e mëtejshme e tyre. Veçanërisht i lartë është niveli i ujit në lumin Kriva, ku në disa segmente të rrjedhës së tij, shtrati i lumit mund të mbushet ndjeshëm me ujë. Në zonat ku priten reshje intensive lokale, është e mundur një rritje e shpejtë e nivelit të ujit, kryesisht në përroska dhe lumenj të vegjël, si dhe mund të ketë rrëshqitje dhe shembje dheu”, thonë nga Qendra për Menaxhim me Kriza.
Ata rekomandojnë për kujdes të shtuar gjatë lëvizjes pranë lumenjëve dhe përroskave gjatë ditës së sotme, e veççanërisht në rajonet verilindore dhe lindore te vendit. /Alsat.mk