
Moti me diell dhe temperatura deri në 20 gradë do të na shoqërojnë deri nga mesi i javës së ardhshme. Nga e mërkura, sinoptikët paralajmërojnë ndryshim të motit dhe ulje temperaturash për disa gradë. Sipas sinoptikëve, temperaturat ditore gjatë kësaj periudhe do të lëvizin nga 7 deri në 15 gradë celsius të shoqëruara me reshje shiu. Kur bëhet fjalë për këtë fundjavë, nga Enti hidrometeorologjik paralajmëruan mot kryesisht me diell dhe temperaturë deri në 21 gradë celsius përveç të shtunës kur pritet të fryjë erë e fortë me shpejtësi mbi 60 km në orë në pjesë të caktuara të vendit.
“Të mërkurën do të kemi një ndryshim të situatës sinoptike, do të kemi një masë ajri më të ftohtë që zbret nga veriu në mënyrë që edhe temperaturat të ulen, do të ketë kushte për reshje lokale, nuk do të ketë aq shumë ftohje. Do të ketë temperatura më të ulëta këtë periudhë, nga e mërkura dhe e enjtja dhe ditët në vijim, disa temperatura që do të jenë nën mesataren për këtë periudhë të vitit. Do të presim temperatura diku në intervalin 7 deri në 14 ose 15 gradë, po flasim për temperatura ditore”, tha Lençe Ristoska, sinoptike.



