Avokatja e Ylber Jakut tregon dinamikën e krimit: Viktima dhe familja e tij tentuan të bllokonin rrugën drejt shtëpisë së prindërve të autorit
Avokatja e caktuar nga shteti për Ylber Jakun, Aurora Guska, ka zbardhur disa detaje nga dinamika e vrasjes së 34-vjeçarit Reshit Sallahu, që ndodhi pas një konflikti të gjatë për çështje pronësie mes dy familjeve.
Sipas avokates Guska, konflikti është përshkallëzuar pas një përplasjeje të fundit, ku familja e viktimës ka tentuar të bllokojë rrugën që të çonte drejt banesës së babait të Ylber Jakut.
Në sherr është përfshirë edhe motra e Reshit Sallahut, e cila ka goditur me sëpatë prindërit e Ylber Jakut, duke i plagosur rëndë dhe duke ndezur gjakrat mes dy familjeve fqinje. Kjo ngjarje ka çuar më pas në vrasjen tragjike të 34-vjeçarit, për të cilën tashmë Ylber Jaku ndodhet në burg me masën e sigurisë “arrest me burg”.
Mësohet se Agim Jaku, babai i autorit të dyshuar të vrasjes së Reshit Sallahut, ka kontaktuar në mënyrë të vazhdueshme me policinë për të denoncuar konfliktin mes familjeve.
Jaku ka dërguar pafund telefonata dhe mesazhe duke kërkuar ndërhyrjen e autoriteteve për të shmangur përshkallëzimin e situatës tha avokatia Guska, ku megjithatë, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme, policia nuk ka marrë asnjë masë parandaluese.
Mosreagimi i strukturave shtetërore, sipas mbrojtjes, ka ndikuar drejtpërdrejt në agravimin e konfliktit që përfundoi me një ngjarje tragjike.
Avokatja: Prindërit e Ylber Jakut kanë një konflikt pronësie, për të kaluar në banesën e tyre. Familja e viktimës nuk e lejonte dhe kanë qenë në proces gjyqësor për 20 vite. Para dy javësh babai i të arrestuarit, Agim Jaku ka marrë në telefon policinë ka njoftuar dhe është shprehur se personi me të cilin kishte konflikt, babai i viktimës, kishte marrë një fadromë dhe po prishte rrugën që e çonte drejt shtëpisë.
I gjendur përpara këtij fakti, babai i viktimës ka shkuar në polici dhe ka thënë ‘ma hiqni Agimin ose unë hakmerrem’. Vajza që ndodhet në arrest shtëpie, ka marrë një sëpatë dhe ka dëmtuar të dy prindërit e të arrestuarit.
Për të mos pasur konflikte të mëtejshme, babai i të arrestuarit ka marrë në telefon të birin dhe i ka thënë që ‘kemi bërë një aksident dhe ndodhemi në spital’. Ylber Jaku punonte në Has, nuk është e vërtetë që ka ardhur nga Anglia, jo ndodhej në Has, merret me ndërtim. Kur ka shkuar tek Trauma dhe ka parë prindërit e tij në atë gjendje, sidomos nënën e tij që është në gjendje më të rëndë shëndetësore, është tronditur shumë. Ka fikur telefonin. Vetë Agim Jaku, kam të gjitha telefonatat dhe mesazhet e tij duke filluar nga ora 09:49 deri në 11:13 kanë qenë telefonata dhe mesazhe pafund, ku Agim Jaku ka njoftuar policinë se djali im ka dalë jashtë kontrollit dhe evitoni ndonjë ngjarje të mundshme.
Por sështë marrë asnjë masë, ngjarja ka ndodhur 3 metra larg oborrit të viktimës. Vetë Ylber Jaku s’ka bërë rezistencë. Ka qenë daja i tij që ka marrë në telefon policinë, ka ardhur policia në shtëpinë e Ylber Jakut, s’ka bërë rezistencë dhe është vetëdorëzuar. Ylber Jaku ka shtetësi angleze, ka bashkëshorten angleze dhe dy vajza. Ai kërkoi në gjykatë përfaqësues të ambasadës angleze.