Policia gjatë 24 orëve të fundit ka privuar nga liria 18 shoferë në mbarë vendin për drejtim të pakujdesshëm të automjetit.
“Prej tyre, nëntë shoferë drejtonin automjetet nën ndikimin e alkoolit, përkatësisht nga Shtipi, Prilepi, Demir Hisari, Manastiri, Kumanova dhe Negotina. Një shoferi nga Kumanova iu matën 1,57 promilë alkool në gjak, me ç’rast ai ishte sjellë në mënyrë agresive ndaj nëpunësve policorë, ndërsa një shofer nga Demir Hisari, të cilit iu matën 1,89 promilë alkool në gjak, kishte shkaktuar edhe aksident rrugor.
Shtatë shoferë drejtonin automjetet pa e dhënë provimin e vozitjes, përkatësisht nga Kumanova, Shkupi, Manastiri, Gostivari dhe Komuna e Çashkës. Në mesin e tyre janë edhe dy të mitur, nga cilët njëri drejtonte automjet, ndërsa tjetri motoçikletë. Gjatë po kësaj periudhe, nëpunësit policorë ndaluan edhe dy shoferë, nga Kumanova dhe Shkupi, të cilët drejtonin automjetet edhe përkundër asaj se kishin ndalim aktiv për drejtimin e automjetit motorik”, njoftoi MPB.
Pas dokumentimit të rasteve, ndaj shoferëve do të ndërmerren masa përkatëse ligjore.
The post MPB: 18 shoferë privohen nga liria për kundërvajtje në trafik appeared first on Alsat.



