Deklaratat e kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe shefit të diplomacisë Ditmir Bushati lidhur me shqiptarët në Maqedoni, kanë nxitur reagimin e Shkupit zyrtar. Ministria e Jashtme ftoi ambasadorin shqiptar Fatos Reka për ta porositur që Shqipëria të mos përzihet në punët e brendshme të Maqedonisë. Sipas Ministrisë së Jashtme, me këto veprime, Shqipëria cenon marrëdhëniet e mira mes dy vendeve duke nxitur kështu edhe retorikë ekstremiste, transmeton Gazeta Express.
“Deklaratat e Kryeministrit të Shqipërisë dhe Ministrit për Punë të Jashtme në lidhje me binacionalitetin dhe rregullimet kushtetuese është përzierje e drejtpërdrejtë në punët ë brendshme të Maqedonisë. Etiketimi i maqedonasve si “sllavomaqedonas” është etiketim nënçmues dhe diskriminues”, thanë nga Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë.
Nga Ministria e Jashtme në Shqipëri thonë se Rama dhe Bushati nuk heqin dorë nga qëndrimet e tyre për zhvillimet në Maqedoni.
“Pozicioni i Shqipërisë në këtë çështje është i qartë. Nuk kemi asgjë as për të shtuar. Shqipëria do të qëndroj në pozicionin e saj Kushtetues!” deklaruan nga Ministria e Punëve të Jashtme.
Shefi i diplomacisë shqiptare Ditmir Bushati ditë më parë në një intervistë për rrjetin Euroactiv u shpreh kategorik se Shqipëria nuk synon të përzihet në punët e brendshme të Maqedonisë dhe se Tirana nuk ka përgatitur asnjë platformë politike e cila do të koordinonte veprimet e partive politike shqiptare në Maqedoni. Bushati mes tjerash potencoi se Shqipëria është vendi i vetëm i cili Maqedonisë nuk i ka kontestuar identitetin dhe integritetin territorial.
Në anën tjetër, kryeministri shqiptar Edi Rama nga Franca dërgoi porosi se shqiptarët në Maqedoni duhet t’i gëzojnë të drejtat e barabarta. Ai tha se shqiptarët në Maqedoni nuk janë minoritet por etni që përbën 35 % të popullsisë.
Tirana zyrtare dhe udhëheqësit e qeverisë shqiptare së fundi kanë qenë cak i akuzave dhe sulmeve verbale nga presidenti Gjorge Ivanov, VMRO DPMNE-ja dhe protestuesit e “Për Maqedoni të përbashkët”.