Kosova nuk është njohur ndërkombëtarisht nga asnjë shtet për më shumë se një vit, përderisa Serbia po punon vazhdimisht për të siguruar çnjohje të reja. Opozita dhe analistët vlerësojnë se përpos diplomacisë kosovare të dobët shtetet hezitojnë ta njohin Kosovën për shkak të deklaratave për ndryshim të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.
Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Rejhane Vuniqi, ka thënë për “Zërin” që institucionet e Kosovës po i kundërshtojnë me sukses përpjekjet dhe lobimin serb ndaj shtetësisë së Kosovës.
“Ne kemi kundërshtuar me sukses përpjekjet serbe për të revokuar njohjen e Kosovës në muajt e fundit dhe në të njëjtën mënyrë do të vazhdojmë të kundërpërgjigjemi ndaj përpjekjeve serbe që kanë synim për të dëmtuar qëndrimin e Kosovës ndërkombëtarisht. Pra ne nuk komentojmë se çfarë thotë Daçiq, por punojmë në terren me vendet për të forcuar angazhimin bilateral të Kosovës dhe pozitën e saj multilaterale. Ky është qëllimi ynë dhe puna vazhdon më tutje”, ka theksuar ajo.
Vuniqi ka paralajmëruar njohje të reja, teksa ka shtuar se Ministria e Punëve të Jashtme mbetet e përkushtuar në lobimin për njohje të shtetësisë së Kosovës.
“Ministria dhe ministri personalisht janë plotësisht të angazhuar në procesin e njohjes së Kosovës. Samiti i Ministrave të Jashtëm të OBI-së ishte një platformë e mirë për të lobuar më tej, ku u takuan me shumë ministra të jashtëm të shteteve anëtare. Ne gjithashtu kemi vizituar disa vende që janë në proces të njohjes së Kosovës dhe disa prej tyre po finalizojnë procedurat e brendshme. Por puna po bëhet drejtpërdrejt me vendet që nuk e kanë njohur Kosovën”, ka thënë ndër të tjera ajo.
Ndërkohë ajo ka thënë që MPJ-ja është duke punuar me disa vende për të shpejtuar procesin e njohjeve te vendet që kanë për disa arsye hezitim për të njohur Kosovën, ndaj sfidat janë më të mëdha.



