Kryetari i LSDM’së pas një heshtjeje të gjatë derisa vazhdonin bisedimet midis Nikolla Gruevskit dhe Ali Ahmetit nuk ishte prononcuar lidhur me kërkesat e shqiptarëve. Heshtja e tij si kryetar që përfaqësonte një parti të hapur edhe për shqiptarët, me deputetë shqiptarë, ngjalli jo pak reagime në opinion duke e akuzuar se ai vetëm kishte keqpërdorur situatën në të cilën ndodheshin shqiptarët, dhe se ishte i interesuar vetëm për votat e tyre.
Mirëpo, aktivizimi i tij në kohët e fundit dhe pranimi i kërkesave që përfshihen në platformën e përbashkët të shqiptarëve duket se kanë zanafillë tjetër.
Portali Sakte.net nga burime të veta mëson se kanë qenë pikërisht deputetët shqiptarë të kësaj partie që kanë bërë presion të madh në organet partiake të LSDM’së. Më i zëshmi mësohet të ketë qenë deputeti Muhamed Zeqiri, i cili thuhet se ia ka rikujtuar “70 mijë votat e shqiptarëve” pa të cilat as që do të vinte në shprehje mundësia e formimit të Qeverisë nga ana e LSDM’së. Madje, sipas burimeve tona, tensionet kanë arritur deri në atë pikë sa Zeqiri ka thënë se nëse nuk merren parasysh kërkesat dhe të drejtat bazike që u takojnë shqiptarëve, ai do ta konsiderojë edhe mundësinë e bashkëngjitjes me grupin parlamentar të Lëvizjes BESA. Mësohet se ky ultimatum ka qenë vendimtar që organet partiake të rikonsiderojnë kërkesat e shqiptarëve.
Zeqiri kishte paralajmëruar në emisionin Arena me Dritan Hila në Ora News se në rast se do të përfilleshin kërkesat e shqiptarëve, ai pa mëdyshje do ta braktiste LSDM-në.
Zeqiri u përfol edhe si kandidat i LSDM-së për kryeministër./Sakte.net