Mulla Sula thotë se shqiptarët e Maqedonisë si thënia: Fshati digjet, plaka po krihet

Autor: Sulejman Rexhepi

Për mua, fundviti është vetëm një rast për të bërë rekapitulim të asaj që e kemi përjetuar, të asaj që ka ndodhur, është rast për të konstatuar përpara pasqyres edhe ndonjë rrudhë që e kanë krijuar hallet dhe brengat, për të pyetur veten:  në këtëtë vit të Zotit çfarë bëmë ne për Zotin, a e forcuam sadopak bindjen dhe besimin tonë apo iu dorëzuam kënaqësive të rrejshme të kësaj bote kalimtare?
Duke u përpjekur  të kujtoj gjërat e bukura që na ndodhën në vitin që shkoi, po më del përpara një haxh i sukseshëm, shumë xhami të inauguruara, seminare, takime, manifestime. Në planin personal po më kujtohet kënaqësia e botimit të kompletit të veprave të mia…
Por, ja që të gjitha këto po më dalin disi të zbehta karshi tragjedisë së Alepos, vërshimeve që e tronditën rrethin e Shkupit, bombave që e dridhën Turqinë, Sirinë, Irakun, Evropën, kamionave që shkelën qëllimisht njerëz të pafajshëm…
Po përpiqem të kujtoj të mirat dhe të bukurat por në kujtesë po më vijnë rotull imazhe të varfërisë të skajshme me të cilën u ballafaquan njerëzit nëpër botë, uria, mungesa e ujit të pijshëm, katastrofat ekologjike, shrytëzimi i pamëshirshëm i resurseve, ndotja e ajrit dhe ambientit jetësor, gara në armatim që po përfolet së fundmi e që po na e përkujton kohën e Luftës së Ftohtë, marrëzia njerëzore që po prodhon urrejtje e luftë në vend të mirëkuptimit dhe paqes që i urdhëron Zoti…

Një jetë falco

Besime falco, drejtësi falco, idhuj falco, adresa elektronike falco, lajme falco, buzëqeshje dhe ndjenja falco, miq falco, dashuri dhe martesa falco, poltikë falco, e vërteta falco, diploma falco, ide falco, probleme falco dhe zgjidhje falco, zgjedhje falco, rezultate falco, vlera falco, një botë falco dhe si rezultat i tërë këtij falsiteti – një jetë e tërë falco.
Për fat të keq, një vështrim rreth vetes lehtas e dëshmon tërë mashtrimin dhe të gjitha gënjeshtrat me të cilat jemi mbuluar. Fakti se janë evidente përpjekjet që në tërë këtë falsitet të inkorporohet edhe feja përmes individëve dhe grupeve të papërgjegjshme, mua po më shkakton dhembje dhe zhgënjim. Përfundimisht, njeriun duhet ta karakterizojnë veprat e jo fjalët dhe ne s’guxojmë të shndërrohemi në një shoqëri në të cilën ”njerëzit vetëm besojnë se po besojnë”.
Me fjalë të tjera, pikërisht viti që mbeti pas, nxori në pah defekte të shumta që janë krijuar e shtresuar me kohë e që janë bërë padiktueshëm pjesë e vetëdijes tonë këtu në Maqedoni. Politika, por jo vetëm , dëshmuan se ndër ne po fillon të duket normale nëse dikush vret e tjetri vjedhë, nëse dikush dëshmon rrejshëm dhe gjykatësi me vetëdije e pranon atë dëshmi duke e arsyetuar krimin. Biles, këtu edhe po bekohen krimet dhe përpara syve tanë  gjërat që janë jonormale po bëhen normale kurse ato që janë normale po perceptohen si jonormale.
Ndërkohë, të gjithë e kanë përplotë gojën fe e besim, të gjithë po thirren në emrin e Zotit, edhe pse është e qartë se Zoti dhe krimi, Zoti dhe gënjeshtra, Zoti dhe mashtrimi, nuk mund të shkojnë bashkë. Aty ku ndodhin këto gjëra, përfundimisht kemi të bëjmë me një fe dhe me një besim të rrejshëm. Zoti është mbi të gjitha, andaj asnjë ideologji, interes politik, grupor, klanor e sektar nuk mund t’ju kundërvihet urdhërave të Zotit.
Andaj, si mund të pajtohemi me faktin që të gjitha këto gjëra po ndodhin në mesin tonë, në mesin e një popullate që krenohet me traditat e veta islame?
Analizat serioze sociologjike thonë se vetëdija e njeriut të rëndomtë , në situata të krizës nuk mund t’i bëjë racionalisht karshillëk fabrikimit të të pavërtetës, marketingut dhe propagandës së laboratoreve që prodhojnë dhe shkaktojnë pasiguri. Jo rallë, njeriu i manipuluar radikalizohet pa ndonjë arrsye serioze, bëhet padiktueshëm mish për top. Dhe, mjerisht, për dallim nga ata të cilët i lëvizin figurat nga prapaskena, viktimat e manipuluara përfundojnë në deponitë anticivilizuese të politikës ditore dhe ideologjike.
Pse po rrënohet bota jonë dhe idealet e synimet që kemi pasur, pse po ndryshon mentaliteti i njeriut tonë në mënyrë aq drastike, pse ai aq lehtë po bie pre e thashethemnajave që po plasohen nga keqbërësit të cilët me një lap-top në dorë po synojnë të shkaktojnë dridhje në mendjen tonë kolektive? A bëhet fjalë për dyfytyrësi apo për mosdije?

Fshati digjet, plaka po krihet

Në vazhdën e tërë kësaj që e thashë më lartë, me keqardhje dua të them se ne shqiptarët dhe muslimanët e Maqedonisë në përgjithësi, të preokupuar me gjëra që nuk janë esenciale, kemi filluar t’i gjasojmë asaj plakës që po krihej derisa fshati i saj po digjej.” Ky tha, ai ia ktheu, filani e bëri këtë dhe fisteku atë…”, llafe bosh dhe pallavra, punë që të largojnë nga rruga e Zotit.
E përpara syve tanë po ndodhin gjëra të cilat kanë të bëjnë me ekzistencën tonë kombëtare dhe fetare, po hartohen projekte që kanë në vete aq shumë djallëzi.
Ta zëmë, duke shkruar këtë tekst, më ra në sy një informatë për një hulumtim që në vete ngërthen aq shumë kontradita. Pra, rezultatet e hulumtimit “Perceptimi i qytetarëve për religjionin dhe rolin e tij në shoqëritë multikulturore” i zbatuar nga Instituti për hulumtime politike nga Shkupi (IHPSH) bashkë me ueb portalin religija.mk dhe fondacionin “Konrad Adenauer” , paskan treguar se në Maqedoni, 75 përqind e popullatës qenkan ortodoksë dhe 21 përqind muslimanë?!
A nuk ju ngjanë ky rezultat si mbajtje e isos Todor Petrovit dhe kompanisë së tijë të cilët po trumpetojnë me vite që shqiptarët në Maqedoni nuk janë më shumë se 15 përqind dhe andaj duhet të ulin kokën e të marrin atë që ua japin maqedonasit se ndryshe mund të mbeten edhe pa atë lëmoshë.
Sa pretencioze është të thuash se këtu jetuakan 21 përqind muslimanë, edhe pse zyrtarisht vetëm Shqiptarë në Maqedoni ka mbi 25 përqind dhe të gjithë janë muslimanë (respekt për disa familje katolike). Nëse këtyre ju shtohen edhe Turqit,Torbeshët, Boshnjakët dhe Romët, atëherë qe besa,diku rreth 40 përqind e popullatës së Maqedonisë po del se janë muslimanë. Pra, ortodoksët nuk janë kurrësesi 75 përqind, që do të thotë se edhe Maqedonasit nuk janë aq. Kuptohet, numrin e pjesëtarëve të Islamit, Bashkësia Islame mund ta dëshmojë edhe me fakte.
Dhe, deri sa portalet e të tjerëve po përgadisin opinion që do të minimizojë përqindjen tonë e do të na shndërrojnë në faktor jo relevant në tokën tonë, çfarë po bëjmë ne?
Ne po krihemi, ne po bëjmë adresa elektornike të rrejshme për të derdhur smirën tonë e për t’i përçarë muslimanët, ne po largohemi nga Zoti duke dëgjuar pallavrat e njerëzve neurotik e të desocializuar të cilët frustracionet e veta po i shërojnë duke u vetëfaktorizuar nëpër parti politike, nëpër poste të pamerituara, nëpër qoshe nga të cilat pretendojnë të predikojnë fenë, të zhytur në kotësinë e qasjes së tyre ilegale ndaj fenomeneve dhe problemeve.
Politika, të nderuar miq, dhe feja aq më pakë, nuk guxojnë të bëhen arsyetim për anarki individuale apo kolektive.
Një vit që ishte i mbrapshtë, sepse ne vetë e bëmë të atillë, iku!

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme