Mund ta ndryshojmë vetveten, e jo të tjerët!

Shkruan Xhevdet Pozhari

 

Jo sot por qëmoti, Serbia ka bërë çmos që t’i mbajë nën kontroll Kosovën dhe Maqedoninë. Siç ka bërë çmos edhe ta pamundësoj bashkëpunimin e shqiptarëve me cilindo popull tjetër në Ballkan, e veçanërisht me atë kroat e bullgar. Pra Serbia ka bërë çmos që shqiptarët e Kosovës dhe ata të Maqedonisë të binden se çdo gjë e tyre varet nga vullneti i Beogradit.

 

Këtë më së qarti e ka dëshmuar edhe pushtimi serb i Kosovës dhe i Maqedonisë së Vardarit në vjeshtën e vitit 1912, pushtim që u solli shumë vuajtje komuniteteve etnike joserbe në këto hapësira.

 

Asokohe, njësoj si edhe sot, projektet serbe kanë qenë të qarta dhe as që e kanë fshehur qëllimin e tyre për shfarosjen e plotë të shqiptarëve nëpërmjet gjenocidit dhe shpërnguljes si dhe serbizimin e etniteteve sllave.

 

Kjo së fundmi u pa edhe në vitin 1999 kur nëpërmjet dhunës e terrorit Serbia tentoi ta zbrazë Kosovën.  Pra u pa edhe një herë ajo që kishte ndodhur edhe në vitin 1918 kur këto hapësira u pushtuan nga forcat serbe dhe kur, për t’i realizuar qëllimet e veta shfarosëse dhe asimiluese ndaj shqiptarëve dhe bullgarëve, u egërsua presioni serb mbi këto etni. Pra si atëherë kur Shqipëria e Bullgarin jo se nuk e shihnin këtë veprim antishqiptarë dhe antibullgarë, por asokohe, këto dy vende nuk mund të bënin të duhurën për mbrojtën e pjesëtarëve të kombit të vet që jetonin jashtë kufijve të vendeve amë.

 

Dhe nëse problemet ndëretnike në këtë laramanin etnitetesh ka qenë më i ndërlikuar midis Luftërave Botërore, pra në vitet kur Bullgaria e Shqipëria kanë qenë shumë të kufizuara dhe thuajse në izolim të plotë për ta ndihmuar popullin e vet jashtë kufijve të shtetit amë, ai problem mbetet i tillë edhe sot, por me atë dallim se vendet e këtushme kanë mundësi të mëdha veprimi për ta demaskuar politikën shekullore serbe antishqiptare dhe antibullgare. Pra kanë mundësi të veprojnë ashtu që të shihet se jo të gjithë ne jemi peng i mendësisë së të pakënaqurit me fqinjët e vet dhe të atij që ndjehet i dëmtuar nga e shkuara, por të mendësisë se sido që të ketë qenë e shkuara dhe sido që të jetë e sotmja, ne nuk mund ta ndryshojmë as atë që ka ndodhur as fqinjët që kemi, por vetveten.

 

Por kuptohet, duke mos harruar kurrë se në këto hapësira, shpeshherë nuk ka qenë vendimtare urtësia dhe njerëzorja, por  ajo që kanë prodhuar punëtoritë e mosmarrëveshjeve dhe trazirave ndëretnike. Andaj të gjithë ne që jetojmë në këto hapësira duhet ta dimë se edhe këtu, si në gjithë botën, kanë marr fund luftërat botërore, por jo edhe ato ballkanike, e të cilat vazhdojnë të jenë të egra edhe sot e kësaj dite poaq sa dikur. Që do të thotë se ende nuk është hequr dorë nga pretendimet se duhet të korrigjohen gabimet nga e shkuara, se duhet kthyer atë që dikur të është grabitura. E ku kryeson Beogradi me mendësinë e vet se Serbi është çdo kund ku ka edhe një varr serb e le më ndonjë vendbanim ku banorët i përkasin kësaj përkatësie etnike.

 

Dhe shikuar nga ky këndvështrim mund të thuhet se Serbia kurrë nuk ka heq dorë që Maqedoninë dhe Kosovën t’i ketë nënë kontrollin e vet. Dhe jo vetëm aq, por edhe hapësirat tjera të këtij  Ballkani, e që sipas punëtorive serbomëdha i takojnë Serbisë. Andaj prej moti e kanë nisur ‘Luftën e Tretë Ballkanike’ edhe atë herë me armë, si ndërhyrja e fundit terroriste në Bansjkë të Veriut të Kosovës,  e herë me fushata politike për ta penguar etablimin e shteteve fqinje.

 

Po pra, në këtë Ballkan kurrë nuk kanë përfunduar luftërat dhe betejat e lënë përgjysmë gjatë zhbërjes së Perandorisë Osmane, siç është për shembull edhe beteja e Fushë Kosovës, betejë e humbur e serbëve, e të cilën qarqet serbe nuk mund ta harrojnë dhe e vazhdojnë edhe sot e kësaj dite duke i luftuar të gjithë pjesëtarët me përkatësi fetare islame, e të cilët, sipas shtetit kishtar serb, janë nipër të osmanëve.

 

Dhe mbase e tërë kjo situatë ka ndikuar që Maqedonia të jetë ‘Kazablanka’ e Ballkanit, vend ku kryqëzohen interesat e shumë shteteve të këtushme dhe ku ‘Lufta e treti Ballkanike’ është më e egër. Dhe ku, duke e ndje vetveten si ‘Vëllai i saj më i madh’ i maqedonasve, Serbia pretendon se ajo ka qenë e përgjithmonë do mbetet mbikëqyrëse e Maqedonisë.

 

Duke qenë se nuk mund t’i shpëtojmë fatit e të mos përfshihemi në këtë ‘luftë’ të tretë Ballkanike, ne shqiptarët duhet ta dimë se jetojmë në kohë kur duke qenë sa më paqësorë, duhet t’i ripërtërijmë miqësitë me popujt tjerë të Ballkanit, si me bullgarët dhe kroatët.  Miqësi që i trashëguam nga rilindësit tanë.

 

Duke i sforcuar ato miqësi ne do dëshmojmë se e kemi kuptuar se armët janë heshtur përkohësisht edhe atë vetëm sa t’u jepet mundësi ushtrive të pushojnë dhe rirreshtohen. Dhe se ato armë janë mbuluar me retorikën politike dhe me orvatjet që në mënyrë ‘paqësore’ të realizohen pretendimet territoriale. Siç është për shembull projekti serb për ‘Ballkanin e hapur’ nëpërmjet të cilit Beogradi tregon se nuk ka heq dorë nga pretendimet të jetë kryeqendra e Ballkanit. Apo nëse jo kryeqendra e të gjithëve atëherë gjithsesi e vendeve që ajo i kontrollon nëpërmjet elementeve serbe,

 

Ndërkohë mbetet e vërteta se miqtë mund t’i zgjedhësh, por armiqtë dhe fqinjët t’i përcakton fati. Dhe kur bëhet fjalë për armiqtë dhe fqinjët është e kotë të merresh me ndryshimin e tyre. Kështu që duhet marrë me vetveten duke dëshmuar se di të mbrosh atdhe dhe popull.  /sakte.net

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme