Harun Aliu dhe shumë heronj të tjerë mund të mos jenë në mesin tonë, por ëndrra e tyre dhe e shumë të tjerëve do të vazhdojë të jetojë deri në jetësimin e plotë të saj. Shumë veprimtarë janë mbledhur rreth idesë së përfaqësimit dinjitoz të shqiptarëve të Maqedonisë dhe kanë vënë tashmë komunikimin me kryetarin e Lëvizjes BESA, Afrim Gashi. Kështu së paku bëjnë të ditura burimet e murëinformuara të portalit Sakte.net.
“Po, ka një iniciativë konkrete dhe jemi në bisedime me kryetarin aktual të Lëvizjes BESA, Afrim Gashi. Qëllimi i kësaj partie nuk dallon shumë nga ideja autoktone dhe autentike në fillet e kësaj partie, por ajo do të mbindërtohet me vlera të reja dhe të shtuara. Ka një vullnet që të forcojmë një parti që do të jetë në thelb pro avancimit të çështjes shqiptare në veçanti, por edhe të drejtave të të gjitha etniteteve që jetojnë në Maqedoni. Kuptohet, e ardhmja ndërtohet mbi themelet e të sotshmes dhe të së kaluarës. Andaj, në platformën tonë do të përfshijmë edhe pjesë të platformës së Alternativës Kombëtare të heroit, Harun Aliu. Ai u vra pabesisht, por ëndrra e tij do të vazhdojë të jetojë deri në jetësimin e plotë të saj”, thonë burimet tona.
Ndërkohë, as nuk është konfirmuar dhe as mohuar nëse do të imponohet një emër i ri për kryetarin e Lëvizjes BESA, Afrim Gashi.
I kontaktuar nga portali Sakte.net, shefi i kabinetit të Afrim Gashit, Faton Fazliu ka konfirmuar se janë në bisedime me shumë intelektualë, por është rezervuar të jep informata shtesë.
Por, Fazliu tha se shqiptarët gjithmonë do të kenë alternativë dhe atë do tua ofroj partia e Afrim Gashit, rreth idesë së të cilit tashmë janë grumbulluar shumë intelektualë./Sakte.net