Mungesa e ministrit të Inovacionit Besim Beqaj në mbledhjen e Qeverisë shkaktoi reagimin e kryeministrit Ramush Haradinaj.
Teksa në emër Beqajt po fliste zëvendësi i tij Bujar Cakolli dhe po shqyrtohej propozimi për të kërkuar nga Presidenti dhënien e autorizimit për nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëfinancimit me Agjencionin gjerman për bashkëpunim ndërkombëtar GIZ për projektin CETEP, Haradinaj kërkoi të dijë se ku është ministri Beqaj.
“Ku është ministri? Nuk është në rregull që një ministër e vlerëson një aktivitet tjetër më të rëndësishëm se atë të Qeverise. Nuk mund të vazhdojmë kështu. S’ka logjikë kështu. Se di çka ka më me rëndësi se mbledhja e Qeverisë. Këtë pikë të rendit të ditës po e shtyjmë, pasi mungon ministri. Çdo herë do të sillem kështu”, tha ai, raporton KsP.
Ministri Beqaj sot ka mbajtur një aktivitet në Prizren, me të cilin ishte edhe kryetari i Kuvendit Kadri Veseli.