Mungesa e PDK-së, votat e VV-së për kandidaten e Listës Serbe – Krejt çka ndodhi në seancën e sotme?

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Lidhjes Demokratike të Kosovës, bashkë me deputetët e komuniteteve jo-shumicë dhe Listës Serbe morën sot pjesë në vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, me pikën e vetme të rendit të ditës që ishte zgjedhja e nënkryetarëve të parlamentit.

Pas ndryshimit të qëndrimit të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila dje mbajti mbledhje të kryesisë ku më pas njoftoi se do të votojnë të gjithë nënkryetarët e propozuar nga partitë parlamentare, në mënyrë që të bëhet konstituimi i Kuvendit, PDK e refuzoi pjesëmarrjen në këtë seancë, duke u shprehur se janë shkelur të gjitha normat e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë dhe se rastin do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.

PDK pak para fillimit të vazhdimit të seancës konstituive njoftoi kryetaren e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu se po e tërheqin përkohësisht kandidaturën e Vlora Çitakut për nënkryetare të legjislativit,

Seanca nisi me qëndrimin e Haxhiut, e cila tha se partitë parlamentare sipas interpretimit të aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese nuk mund të mbajnë peng konstituimin e parlamentit, duke kaluar rendin te Lidhja Demokratike e Kosovës për të votuar kandidatin e saj për nënkryetar, Kujtim Shala.

Shala mori 75 vota për, 1 kundër dhe 4 abstenime.

Pas kësaj, Lista Serbe vazhdoi me propozimet për nënkryetar, tetë prej të cilëve u refuzuan nga VV-ja, deri në radhën e deputetes së fundit të propozuar nga ky grup parlamentar që ishte Tanja Vujoviq. Më pas, kjo e fundit mori 62 vota pro që ishin të mjaftueshme për zgjedhjen e saj si nënkryetare e Kuvendit të Kosovës.

Emilia Rexhepi po ashtu mori votat e mjaftueshme si propozim i komuniteteve jo-shumicë, kurse pas kësaj kryetarparlamentarja, Albulena Haxhiu tha se e konsideron Kuvendin e Republikës së Kosovës si të konstituuar.

Pas përfundimit të seancës konstituive, deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku Sadriu para mediave tha se sot është dëshmi që me vullnet politik bëhen institucionet.

Ajo tha se pas ndërrimit të qëndrimit të LVV-së, LDK iu bashkua seancës konstituive dhe u zgjodh kandidati i saj për nënkryetar, Kujtim Shala.

“Kjo është një dëshmi kur vullneti i që kur vullneti politik edhe kur ushtrimi i demokracisë bëhet më i lehtë bëhen institucione. Do thotë po shihet që vetëm mungesa e vullnetit politik të grupit të parë parlamentar ka bërë që të ketë vonesa deri ditën e sotme. Ne në seancën e fundit u kemi bërë thirrje që t’ua njohin të drejtën partive politike për propozimin e emrave për nënkryetarë të tyre dhe vetëm pas ndërrimit të qëndrimit të tyre ne erdhëm dhe u bashkëngjitëm në seancë dhe u votua propozimi i kandidatit të LDK-së për nënkryetar ashtu siç kemi propozuar ne dhe i dhamë institucione vendit”, deklaroi ajo.

Kurse, Hekuran Murati nga Lëvizja Vetëvendosje sqaroi edhe votën e deputetëve të partisë së tij për kandidaten e Listës Serbe, Tanja Vujoviq, për nënkryetare të Kuvendit.

Ai tha se, meqë Lista Serbe përfaqëson shumicën e deputetëve të komunitetit serb, posti i nënkryetarit u takon atyre dhe se vota për Vujoviqin ishte e nevojshme për të përfunduar konstituimin e Kuvendit.

“Nuk është se të gjithë i votuam..por kandidatja e fundit që ishte në radhë dhe nuk kishte tjetër, ishte zonja që u prezantua. E votuam në mënyrë që të konstituohet Kuvendi, sepse nuk mund të bëhej peng konstituimi i Kuvendit”, tha Murati.

Kujtojmë se PDK dhe Aleanca kanë njoftuar se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për interpretimin e kushtetutshmërisë së veprimeve të Lëvizjes Vetëvendosje për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme