Gazetar: Avni Tahiri
Për studentët e universitetit “Nënë Tereza”, mungesa e transportit publik deri në kampusin universitar vazhdon të mbetet shqetësim. Nuk ka linjë të rregullt të autobusëve të Ndërmarrjes së Qarkullimit Publik për këta studentë. Studentët thonë shpenzimet janë të mëdha, ndërsa mungesa e transportit shkakton edhe vonesa në ligjërata.
“Ne jetojmë afër por ka studentë nga Kumanova, nga Saraji, Haraçina dhe kanë shumë nevojë sepse e kanë larg. Për ne që jetojmë afër vijmë në këmbë”, tha një studente.
“A udhëtoni me autobusë? Jo, në këmbë ose me veturë. Shkaku i mungesës së autobusit apo? Shkaku i mungesës udhëtojmë më shumë në këmbë. Sigurisht e keni të nevojshme një linjë? Po, sigurisht, për ata që nuk kanë si të vijnë deri këtu e kanë të nevojshme”, u shpreh një student.
Në panel diskutimin me zëvendëskryeministrin e parë Izet Mexhiti, studentët shprehen pikërisht shqetësimin e mungesës së një linjë të rregullt.
“Deri në universitet nuk kemi një linje të autobusëve e di që kompetencat janë të NQP-së dhe Qytetit të Shkupit dhe vazhdimisht kemi bërë kërkesa por nuk kemi përgjigje pozitive. Çfarë do të mund të na ndihmoni në këtë drejtim?”, pyeti një student.
“Është kompetencë e Ndërmarrjes Publike të Qytetit të Shkupit që fatkeqësisht edhe kur i japim donacione dhe e ndihmojmë me autobusët elektrik nëpërmjet donacionit të BE-së dhe Ministrisë së Ekologjisë që të ulët ndotja e ajrit, nuk i përdor…Edhe pse nuk është kompetencë e jona do ta mbështesim, do të presim edhe 7 apo 8 muaj sa të bëhen zgjedhjet lokale dhe do të ketë një kryetar të ri por deri atëherë do të shohim çfarë mund të bëjmë bashkërisht”, deklaroi Izet Mexhiti – Zv. Kryeministër i parë.
Pas revoltës së vazhdueshme të studentëve që të ketë linjë të rregullt transporti, nga Universiteti Nënë Tereza u dërgua kërkesë deri tek Ndërmarrja e Qarkullimit Publik dhe Qyteti i Shkupit, por deri tani nuk ka asnjë nismë nga NQP-ja. /Alsat.mk