Gazetare: Melihate Rrustemi
“Banorët e Bllacës edhe sot mbetën pa transport publik. Pas një orë pritje në qendër të fshatit banorët u detyruan të largohen për të gjetur një zgjidhje tjetër për të mbërritur në kryeqytet për të kryer obligimet tashmë të caktuara”.
Ndërsa Alsat vizitoi këtë fshat, banorët të revoltuar rrëfejnë së orari i autobusit me numër 81 aspak nuk respektohet duke lënë banorët shpesh herë pa mbërritur në vendet e punës.
“Tashmë tre javë e tepër autobusi në Bllacë nuk vjen. Vjen vetëm ai i orës nëntë në mbrëmje, i zbrazët vjen e i zbrazët kthehet, tjetër autobus nuk ka. Pesë herë në ditë ka qenë autobusi në Bllacë, tashmë një muaj nuk e di çka është problemi”, u shpreh një banor.
“Po dal te autobusi, nëse vjen mirë, nëse nuk vjen kthehem prapë në shtëpi”, tha një fëmij
“Dalin e rrinë, e presin nga dy orë, nuk vjen, kthehen në shtëpi. Dalin sërish në drekë, prapë nuk vjen. Thonë s’ka shofer e s’ka autobusë, tash nuk e dimë se çka. Të gjithë nuk kanë makina, ai që ka makinë e merr familjen e vet e shkon po ata që s’kanë, çka të bëjnë”, tha një banor.
Banorët kujtojnë se pavarësisht kërkesave të vazhdueshme, askush nga institucionet përkatëse nuk përfill zgjidhjen e problemit të tyre.
“A t’ka ndodhë me prit shumë në stacion? Po, shumë shumë, dy orë edhe nuk ka ardhur hiç. Si jeni gjind, si keni ardhë? Me ndonjë makinë që kalon, dikush të merr dikush jo, secili i ka punët e veta”, tha një tjetër banor.
“As parti e askush tjetër nuk të përfill. Kur u duhen votat vijnë në shtëpi e thonë do ta bëjmë kështu e do ta bëjmë ashtu”, u shpreh një tjetër banor.
Sipas banorëve, fshati Bllacë ka mbi 100 shtëpi të banuara, anëtarët e të cilëve thuajse për çdo ditë duhet të udhëtojnë drejt Shkupit dhe anasjelltas. Nga Ndërmarja Publike Qarkulluese nuk morëm përgjigje për shkaqet e këtij problemi. /alsat.mk