Gazetare: Ajnur Bafqari
Për të shkuar në tualet, duhet të blesh një lëng apo kafe. Qytetarët dhe turistët që vizitojnë Shkupin nuk kanë zgjidhje tjetër kur vjen puna te një prej gjërave thelbësore, tualetet publike. Qindra e mijëra turistë, që shëtisin nëpër Çarshi dhe zonën e qendrës, nuk kanë qasje në asnjë tualet publik dhe kjo për shumë kënd, jo vetëm që është e pakëndshme, por një sfidë serioze.
“Tualet publik, nuk kemi gjetur, nuk shkuam në tualet”, tha një turist.
“Ne e përdorëm tualetin në restorant”, shtoi një tjetër.
“Nuk kam ide, sapo kemi arritur dhe jemi duke bërë një rrugëtim, kështu që akoma nuk e dimë, na thanë se janë rreth 2 euro”, tha një turiste.
“Ndonjëherë, ndonjëherë paguajmë, ndonjëherë blejmë një pije që ta shfrytëzojmë atë”, u shpreh një turist.
Sipas ciceronëve, kjo paraqet një sfidë të madhe për ta, dhe me një situatë të tillë po përballen tashmë një kohë të gjatë.
“Për tualete publike, të ju them sinqerisht, shumë vështirë për faktin se nuk ka tualete publike rreth qendrës së Shkupit, kështu që mysafirët, grupet e turistëve, kryesisht shkojnë nëpër restorante dhe detyrohen të blejnë ndonjë pije, ose diçka, që të mund ta shfrytëzojnë tualetin. Ose ndalojmë nëpër pompat e benzinës, përpara se të arrijmë në qytet. Ky është një problem i vazhdueshëm, ku kurdo që të vijmë me grupet në Qytetin e Shkupit për shëtitje, e kemi situatën e njëjtë“, tha një ciceron.
Ndërkohë në kryeqytet, ku gjatë verës temperaturat prekin kulmin, ka mungesë edhe të burimeve për ujë të pijshëm, fontana funksionale, hije apo stacione për freskim. Turistët shfrytëzojnë kryesisht çezmat e objekteve fetare dhe kulturore për t’u freskuar. Komuna e Çairit dhe Qyteti i Shkupit i hedhin fajin njëri tjetrit, duke mos zgjidhur këtë problem asnjëherë. Dyja palët akuzojnë edhe Qeverinë, por edhe organi ekzekutiv distancohet nga përgjegjësia./Alsat.mk