Sa herë vjen marsi Prekazi dhe Drenica mbushet me vizitorë
Kështu ishte edhe sot në 19 vjetorin e Epopesë së UÇK-së e cila shënohet për nder të betejës së Prekazit ku humbën jetën 50 persona e 20 prej tyre vetëm nga familja e komandantit legjendar Adem Jashari.
Para 19 vitesh në këtë familje shpëtuan vetëm 10 veta nga 30 sa ishin por sot numri i tyre është rritur. Të gjithë janë martuar dhe kanë krijuar familje.
Për nder të Epopesë së UÇK-së, edhe sot dyert e familjes së komandantit legjendar u hapën për mysafirët e shumtë.
Mirëpo ata që nuk ia mësynë dyert e kësaj kulle ishin krerët e shtetit.
As kryeministri Isa Mustafa e as kryetari i Kuvendit Kadri Veseli nuk shkuan për vizitë tek Jasharët. Njëjtë ka vepruar edhe presidenti i vendit Hashim Thaçi. Madje Thaçi dje shkoi në Prekaz pa bërë bujë dhe pa i ftuar mediat siç bën zakonisht.
Atij i ka mjaftuar që të postojë një status dhe një fotografi në rrjetin social Facebook për të treguar kështu se ka bërë homazhe në Prekaz.
Veseli dhe Thaçi shpesh janë mburrur se kanë qenë shokë të ngushtë të komandantit legjendar të UCK-së duke publikuar edhe fotografi bashkë me të.
Edhe pse krerët e shtetit nuk qëndruan në odën e Jasharëve, tek familja Jashari shkuan krerët e Vetëvendosjes, disa deputetë të PDK-së, komandanti dhe ministri i FSK-së, Rrahman Rama dhe Haki Demolli, zyrtarë të komunës së Skënderajt dhe të komuna tjera, etj.
Nikoqiri i familjes Jashari, Murat Jashari tha se brezi i kaluar ka dhën gjithçka nga vetja që të vijë deri tek liria, ndërsa ai tha se tash i takon brezit të ri të japë për ndërtimin e mëtutjeshëm të shtetit.
Por sipas Jasharit, liria dhe shteti ka qenë dëshira e të rënëve të familjes por siq tha ai jo kjo liri dhe ky shtet që është sot.
I pyetur për mos vizitën e krerëve të shtetit familjes së tij në këtë ditë të veçantë, Jashari pa përmendur askënd me emër tha se si familje nuk mbajnë inati me askënd dhe se i respektojnë institucionet kushtetuese.
“Ne nganjëherë jemi si përfaqësues të familjes Jashari dhe nganjëherë jemi qytetarë të rëndomtë. Në cilësinë e përfaqësuesit të familjes Jashari nuk guxojmë që të kemi kryeneçësi ose që të mbajmë inati dhe të tjetra ne jemi ithtarë të institucioneve kushtetuese. Pra, institucionet kushtetuese, kategoritë kushtetuese për ne janë të shenjta sepse ajo Kushtetutë është ndërtuar mbi bazën e sakrificës. Jo vetëm të sakrificës së familjes Jashari por në vazhdimësi të sakrificave dhe ne respektojmë pafundësisht institucionet kushtetuese, kurse individët ose personat të cilët udhëheqin me institucionet kushtetuese, nëse ata punojnë siç duhet do ta kenë vlerësimin tonë ose respektin tonë”, tha Jashari.
Ndërkohë që Murat Jashari ka pritur në kullë mysafirët e tij, tek varrezat e të rënëve kanë Jasharët janë nderuar nga krerët e shtetit, përfaqësues të partive politike, etj.
Kryeministri Isa Mustafa tha se vepra e familjes Jashari kapërcen kornizat e historive të tilla të flijimit për liri të vendit.