Murati: Daçiqi po i frikësohet diasporës shqiptare

Ministri i Diasporës, Valon Murati, ka vlerësuar se deklaratat e ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiq, në lidhje me, “kinse sulme të diasporës shqiptare në botë ndaj misioneve diplomatike të Serbisë”, janë vazhdimësi e luftës speciale që Serbia po bën ndaj Kosovës.

Ai ka thënë se diplomacia serbe po xhelozon në fuqinë dhe suksesin e diasporës shqiptare në vendet ku jeton, andaj i ka drejtuar sulmet ndaj saj.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ministri Murati ka paralajmëruar se shteti serb luftën speciale ndaj Republikës së Kosovës do ta vazhdojë edhe në të ardhmen me tërë kapacitetin që ka. “Diaspora jonë është jashtëzakonisht e integruar mirë në vendet ku jeton. Diaspora jonë po depërton në të gjitha shtresat ku jeton, qoftë në nivelin politik, publik, arsimor, ekonomik, sportiv dhe kulturor. Kjo vazhdon të jetë pengesë për Serbinë dhe politikën shoviniste të saj. Edhe në këtë rast z. Daçiq ka tentuar që në kuadër të përpjekjeve për ta destabilizuar Kosovën, në një mënyrë ta destabilizojë edhe diasporën shqiptare dhe të japë një imazh negativ për të”, ka thënë Murati.

Ai është shprehur i bindur se diaspora shqiptare as nuk ka bërë dhe as që do të bëjë veprime të tilla çfarë ka pretenduar kryediplomati serb.

“Ai është marrë me diasporën shqiptare, sepse sikurse i gjithë shteti serb e di fuqinë e diasporës shqiptare dhe rolin që ka luajtur kjo diasporë në çlirimin e Kosovës dhe në procesin e pavarësisë së Kosovës. Normalisht se z. Daçiq dhe Serbia çdoherë kanë arsye t’i frikësohen diasporës sonë, por jo për veprime të tilla. Diaspora jonë veprime të tilla nuk ka bërë as në kohët më të vështira për Kosovën”, ka deklaruar Murati.

Sipas tij, pretendimet e tilla të diplomacisë serbe mund të kenë pasur për qëllim edhe dëmtimin e imazhit të mirë që diaspora shqiptare gëzon në vendet ku jeton. Ministri Murati ka mohuar se deklarimet e tilla mund të kenë ndonjë ndikim negativ në imazhin e diasporës.

“Nuk besoj se deklaratat e tilla do të kenë ndonjë ndikim. Realisht ato janë deklarata që Daçiqi i bën për konsum të brendshëm politik, me tendenca të destabilizimit të Kosovës, por ato nuk mund të kenë ndonjë ndikim të caktuar në vendet ku jetojnë shqiptarët”, ka thënë Murati. /Telegrafi/

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme