Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati ka thënë se ridefinimi i kufijve Kosovë-Serbi, është rruga që funksionalizon Kosovën dhe e bashkon atë me Kosovën Lindore.
Duke iu referuar partive në opozitë, që janë kundër kësaj ideje, ai thotë se po i bëjnë dëm të madh edhe Kosovës edhe çështje kombëtare shqiptare.
Ky është postimi i plotë në faqen zyrtare në Facebook të Valon Muratit:
MOS E DËMTONI POPULLIN PËR SHKAK TË NJË NJERIU
Ridefinimi i kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë është rruga e duhur për ta funksionalizuar shtetin e Kosovës, për ta bashkuar Kosovën Lindore me Kosovën duke ia dhënë të njëjtën të drejtë serbëve atje ku janë shumicë në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin-Potok.
Mundësia për të biseduar për këtë çështje është një rast që nuk vjen shpesh.
Andaj, t’i ndajmë dy gjëra: Presidentin Thaçi si riaktualizues të kësaj ideje dhe vet idenë e konceptin.
Të gjithë ata që po dalin kundër idesë, për shkak të propozuesit po i bëjnë dëm të madh Kosovës dhe çështjes kombëtare shqiptare.
Është krejt legjitime të ketë dilema për propozuesin, por kjo nuk kërkon goditje të idesë, por përfshirje të të gjithë atyre që kanë dyshime në kredibilitetin e presidentit, dhe madje me kërkesë për ta udhëhequr këtë proces kaq delikat.
Po ta kërkonin këtë, sidomos LVV por edhe LDK, do të ishin parimore, përndryshe janë vetëm shfrytëzuese manipulative të situatës për të fituar një votë më shumë, por për ta dëmtuar rëndë të ardhmen e vendit.