Ministrja për dialog me Brukselin, Edita Tahiri është shprehur se muri i ngritur nga serbet në veri të urës mbi lumin “Ibër”, është në kundërshtim me atë çka delegacioni kosovar ka nënshkruar në Bruksel.
Tahiri ka thënë për Indeksonline se pa marrë parasysh deklarimeve të ndryshme si nga ana e serbeve por edhe zyrtarëve të Brukselit, mur në veri të Mitrovicës nuk do të ketë.
“Jam deklaruar qarte se ky mur është ilegal dhe ne kundërshtim me marrëveshjen e Brukselit. Marrëveshjen dhe planin e dakorduar në Bruksel e keni në websajtin e Qeverisë së Kosovës. Në si Qeveri po punojmë për zgjidhjen e këtij problemi dhe mur nuk do të ketë”, ka thënë Tahiri.
Ndërkaq dje BE-ja potencoi se në të dy anët e murit do të ngihen shkallët që do të sigurojnë lirinë e lëvizjes për qytetarët e Mitrovicës.
Maja Kocijanqic, zëdhënëse e përfaqësueses së lartë të Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme, në një deklaratë për media të shtunën, tha se muri që u ndërtua mbi urën e lumit “Ibër” nuk do të jetë muri ndarës.
“Nuk do të jetë mur, por një shkallë që lidh unazën me zonën e këmbësorëve. Gjatë bisedimeve (09.12) palët ranë dakord që të ngrihen shkallët që sigurojnë lirinë e lëvizjes nga njëra anë në tjetrën”, tha Maja Kocijanqic. Sipas saj, Bashkimi Evropian, që ka marrë përsipër revitalizimin e urës mbi lumin “Ibër”, do të monitorojë me kujdes zbatimin në tërësi të kësaj marrëveshjeje.