Muri*

Augustin Palokaj

Përdorimi i këtij termi nuk paragjykon qëndrimet e palëve rreth statusit të murit dhe është në pajtim me mendimin e BE-së se “ky nuk është mur, por shkallë”, me mendimin e autoriteteve serbe se “ky është mur”, me mendimin e ministres Edita Tahiri se “nëse është mur do të rrëzohet” dhe është në përputhje me marrëveshjen për zbatimin e marrëveshjes së zbatimit të marrëveshjes së arritur në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja

Gjuha që përdoret në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, që zhvillohet tash e sa vjet me ndërmjetësimin e Brukselit, është qëllimisht konfuze në mënyrë që palëve t’u lërë hapësirë që gjithçka të interpretojnë ashtu siç ata duan, apo siç atyre u konvenon në momentin e caktuar. Dhe shpesh apo, më mirë të thuhet, në të gjitha rastet, kemi interpretime të kundërta të ndonjë marrëveshjeje nga palët, ndërsa BE-ja nuk sqaron se cila palë ka të drejtë, e dhe në rastet kur është e pamundur që të dyja palët të kenë të drejtë.

I shitur në opinion si njëri ndër sukseset më të mëdha të politikës së jashtme dhe të sigurisë së BE-së, shpesh i çmuar aq shumë në deklaratat vetëlavdëruese të BE-së dhe të Qeverisë së Kosovës saqë u përmend edhe mundësia që kryeministrat dhe ndërmjetësja të nominohen për çmimin “Nobel” për paqe, dialogu ka prodhuar disa marrëveshje, por e ka bërë situatën edhe më të komplikuar. Si duket as Kosova e as BE-ja nuk e kanë pasur të qartë se në çfarë aventure po hyhet me këtë dialog, ndërkohë që Serbia e ka pasur më të qartë. Deri më tash nga Serbia nuk është kërkuar dhe thuhet se nuk do të kërkohet që të ndryshojë qëndrimin e saj mohues ndaj statusit të Kosovës, e madje as nga qëndrimi se Kosova është pjesë e Serbisë. Kosova të arriturat e dialogut i ka përmendur si dëshmi të shtrirjes së sovranitetit të saj në tërë territorin e Kosovës. Ka elemente që mund të çojnë në një mendim të tillë, por fakti është se me këtë dialog i është dhënë Serbisë rol vendimtar jo vetëm në punët e brendshme, por edhe të jashtme të Kosovës. Pa vendimin e Serbisë serbët e Kosovës nuk mund të jenë pjesë e institucioneve të Kosovës, dhe pa ata përfaqësues Kosova e ka pothuajse të pamundur të marrë vendime vitale ku kërkohet shumica e dyfishtë e votave në Kuvend. Siç u pa edhe në dhënien e kodit telefonik, Kosova edhe për t’u integruar në disa organizma ndërkombëtarë duhet të ketë pëlqimin e Serbisë.

Dhe nëse shikohet gjendja në terren, të arriturat janë shumë të pakta sesa që mendohet në Bruksel. Veriu i Kosovës ende nuk duket i integruar. Nuk dihet se a u bind në këtë apo jo gjatë qëndrimit të tij në këtë pjesë kryeministri Isa Mustafa. Por në veri të Mitrovicës nuk ka vetura me targa të Kosovës, ose janë fare pa targa, ose kanë targa me regjistrime të qyteteve të Serbisë, ose të qyteteve të Kosovës si qytete të Serbisë. Asnjë nga marrëveshjet e arritura në Bruksel nuk e ka ndryshuar ende këtë gjendje.

Në anën tjetër, në pjesë të tjera të Kosovës ku jetojnë serbët situata duket më mirë, edhe pse në dialog privilegjohet veriu e jo ata të cilët edhe më parë, para se të niste dialogu, kishin nisur procesin e integrimit në jetën e Kosovës. Veriu i Kosovës nëse do të gjykohej në bazë të asaj që flitet në Bruksel dhe në bazë të fondeve që jepen, apo do të duhej të jepeshin për këtë pjesë, do të duhej të dukej sikur një Lihtenshtajn i rajonit. Për veriun jep fonde BE-ja, jep Qeveria e Kosovës, mund të japë edhe Qeveria e Serbisë, mund të ndahen fonde edhe nga të ardhurat që mblidhen në dogana në atë pjesë. Por këtu nuk shihen kur sheh zymtësinë e asaj pjese të Kosovës. Ajo vazhdon të jetë e vetmja hapësirë në Evropë sot ku ka ndarje etnike, ndarje që kalon përmes lumit Ibër. Për këtë arsye situata në qytetin e ndarë do të duhej të ishte turp për Evropën, por edhe për Kosovën dhe për Serbinë nëse ndarjen e shohin si vegël të manipulimit për qëllime politike.

Dhe sa herë që bëhet një hap për të përmirësuar atë që quhet “liria e lëvizjes”, bëhet një hap tjetër për ta penguar atë. Kur në një moment u hap ura mbi lumin Ibër brenda disa orëve, ajo urë nuk shërbeu më si urë që lidh dy anë të një lumi, apo dy anë të një qyteti, apo dy anë të një shteti, por u shndërrua në “park”. E fjala “park” në fakt ishte vetëm një emërtim për atë që pa dyshim ishte barrikadë që pamundësonte lëvizjen.

Kur u ndërtua parku ai park u bë temë e dialogut në Bruksel. Dhe për vite të tëra u diskutua për atë “park” apo për atë “urë”. Dhe u arrit pajtimi për atë urë. Jo për hapjen e saj, por për “rivitalizimin” e urës. Edhe këtu, sikur në shumë pika tjera në dialog, nuk përdoren qëllimisht fjalë të sakta dhe të kuptueshme si “hapja e urës” por “rivitalizim”.

Dhe tash, kur u afrua momenti për përmbylljen e fazës së “rivitalizimit të urës”, disa metra larg saj u ngrit një mur*. Edhe ai mur* u bë shpejt temë e dialogut, natyrisht me qëndrime të kundërta dhe kuptime të kundërta rreth asaj se çka është. Përderisa për kodin telefonik të Kosovës nuk dihet se a do të jetë “kod gjeografik” apo “shtetëror”, për murin* nuk dihet se a është mur* apo nuk është, nuk dihet se a e kanë ditur apo jo palët se do të ndërtohet ky mur*, e as nuk dihet se a është BE-ja për apo kundër këtij muri*. Bazuar në prononcimet e deritashme, BE-ja nuk është kundër murit*, sepse me gjithë faktin se “kanë shikuar për së afërmi raportet rreth kësaj çështjeje” dhe “kanë dërguar në terren përfaqësuesit e tyre”m duket se aty nuk kanë parë mur*, por duhet të ketë shkallë. Nuk do të habiteshim sikur në fund BE-ja edhe të paguajë ndërtimin e atij muri*. Disi sikur Donald Trumpi kur kërcënonte se do të ndërtonte murin në kufirin e SHBA-së me Meksikën dhe se atë do ta paguanin meksikanët. BE-ja paguan “rivitalizimin e urës” dhe pse në të ardhmen të mos e paguajë edhe “rivitalizimin” e murit*. Ta bëjnë atë mur* edhe më të bukur, ta dekorojnë, t’i qesin disa shkallë dhe ta përmendin si një arritje të madhe të dialogut. Asgjë më nga ky dialog nuk mund të na habisë e as nuk duhet të habitemi me “garancitë” që japin zyrtarët e Qeverisë së Kosovës e as me “qëndrimet e arta të BE-së”.

Sikur edhe në rastet e mëhershme, pasi të arrihet ndonjë marrëveshje në dialog, atëherë palët nuk pajtohen rreth zbatimit të saj, sepse kanë interpretime të ndryshme. Pastaj zhvillohet dialogu për zbatimin e marrëveshjes. Dhe pasi as plani rreth zbatimit të marrëveshjes nuk kuptohet njësoj nga palët, bisedohet për një marrëveshje të re të zbatimit të marrëveshjes së zbatimit të marrëveshjes. Kështu pra doli e vërtetë ajo që druanim në fillim të dialogut se ai do të zgjasë tash me vite.

* Përdorimi i këtij termi nuk paragjykon qëndrimet e palëve rreth statusit të murit dhe është në pajtim me mendimin e BE-së se “ky nuk është mur, por shkallë”, me mendimin e autoriteteve serbe se “ky është mur”, me mendimin e ministres Edita Tahiri se “nëse është mur do të rrëzohet” dhe është në përputhje me marrëveshjen për zbatimin e marrëveshjes së zbatimit të marrëveshjes së arritur në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme