Musliu: Prokurorët e gjyqtarët po “flenë” mbi dosje, parashkrimi i lëndëve mundësi e zhvillimit të korrupsionit

Musliu: Prokurorët e gjyqtarët po “flenë” mbi dosje, i lëndëve mundësi e zhvillimit të korrupsionit

Vjetërsimi i lëndëve nëpër gjykatat e Kosovës u ka mundësuar personave të caktuar, përfshirë edhe ish-udhëheqës të institucioneve, njerëzve të profilit të lartë, që t’i shpëtojnë drejtësisë.

Kodi Penal parasheh edhe mundësinë e parashkrimit apo vjetërsimit të lëndës, me ç’rast këta persona i shpëtojnë vuajtjes së dënimit.

Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), i tha Ekonomia Online zgjatja e afateve të parashkrimeve, po i mundëson gjyqtarëve dhe prokurorëve të “flenë” mbi dosje.

Madje sipas tij, mungesa e llogaridhënies për t’i bërë përgjegjës gjyqtarët dhe prokurorët ka bërë që ata mos të arrijnë që t’i kryejnë lëndët me kohë.

“Një numër shumë i madh i lëndëve arrijnë që të parashkruhen apo të vjetërsohen si rezultat i mungesës së efikasitetit të sistemit të drejtësisë për t’i trajtuar këto lëndë në kohë të arsyeshme siç parashihet me dispozitat ligjore. Fakti që e kemi këtë numër të madh të lëndëve të parashkruara, shpjegohet me numrin e madh të lëndëve të cilat kanë qenë në punë dhe për një kohë të gjatë edhe për shkak të numrit të vogël të gjykatësve dhe poashtu prokurorëve të cilët kanë qenë në sistem dhe që nuk kanë pasur mundësi që t’i trajtojnë këto lëndë në kohë. Tani në vitet e fundit kemi një ndryshim sa i përket kësaj gjendje dhe tashmë kemi një numër të mjaftueshëm të gjykatësve dhe prokurorëve të cilët janë në sistem dhe që mund ti trajtojnë këto lëndë, por ajo që po mungon është mungesa e llogaridhënies për t’i bërë përgjegjës të gjithë gjyqtarët dhe të gjithë prokurorët të cilët nuk arrijnë që ti kryejnë lëndët me kohë”, tha Musliu.

Sipas Musliut me Kodin e ri Penal, nga ana e Ministrisë së Drejtësisë, por edhe Kuvendit të Kosovës, po bëhen përpjekje për ta amnistuar dështimin e tyre për mos ndjekje të personave të cilët janë të ngarkuar me vepra të rënda penale, e për të cilët ende nuk ekziston një vendim i formës së prerë.

“Përpjekjen e Ministrisë së Drejtësisë ne si IKD konsiderojmë që është e dështuar dhe është djallëzuar për shkak që zgjatja e afatit të parashkrimit është në kundërshtim me të gjitha standardet e drejtësisë penale sepse në këtë rast e bën edhe prokurorin edhe gjykatësin dembel në vend se atë ta bëjnë sa më efikas në mënyrë që të sigurohet e drejta për një gjykim të drejtë në kohë të arsyeshme, pra në vend se të arrihen shkurtimet e afateve kohore, në këtë rast është vepruar në të kundërtën, është zgjatur afati i parashkrimit dhe në këtë rast iu mundësohet që edhe gjyqtarët dhe prokurorët të ‘flenë’ mbi dosje dhe afati i parashkrimit të jetë shumë i zgjatur dhe poashtu qytetarët që të vuajnë duke qenë pjesë e evidencave penale”.

Musliu shprehet se ka shumë raste të veprimeve dhe vendimeve të prokurorëve të cilat janë në kundërshtim të plotë me ligjin, por për të cilat assesi asnjëri prej tyre nuk mbahet përgjegjës.

“Ajo çka ka munguar dhe mungon në vazhdimësi është mungesa e transparencës dhe llogaridhënies në trajtimin e rasteve nga ana e prokurorëve, sot për sot e kemi një kryeprokuror që është produkt i aferës së përgjimeve ‘Pronto’, është një kryeprokuror politik dhe që i ka shërbyer dhe i shërben agjendave të caktuara të partive në pushtet të cilat e kanë vendosur në këtë pozitë jo formalisht por praktikisht dhe ajo çka ka bërë ky kryeprokuror, është që ka nxjerrë udhëzime të vazhdueshme të kundërligjshme që e ka bërë centralizmin e hetimit të rasteve të profilit të lartë, ne sot kemi raste të veprimeve dhe vendimeve të prokurorëve të cilat janë në kundërshtim të plotë me ligjin, por për të cilat assesi asnjëri prej tyre nuk mbahet përgjegjës”, tha Musliu.

Musliu thotë se Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, mendon që me Kodin e ri Penal është bërë një reformë rrënjësore në çështjen e parashkrimit të lëndëve. Sipas tij, rritja e afatit të parashkrimit e ka efektin e saj dhe mundëson që askush mos ti ikë ligjit.

“Ky është një fenomen që jemi ballafaquar në të kaluarën mirëpo jo tani, mendoj që me hyrjen në fuqi të kodit të ri penal, i cili është miratuar dhe ka hyrë në fuqi më 15 prill të këtij viti, kemi bërë një reformë rrënjësore edhe në çështjen e parashkrimit të lëndëve, pra është rritë afati i parashkrimit të lëndëve dhe në këtë rast janë disa lëndë siç ka qenë parashkrimi i mos vuajtjes së dënimit, tashmë nuk do ekzistojë me kodin e ri penal i cili është në fuqi dhe shumë çështje të tjera i kemi adresuar dhe mendoj që edhe rritja e kapaciteteve. Mos të harrojmë, për më pak se 2 vjet, numri i gjyqtarëve i cili është rritë, prej 319 sa kanë qenë ndërsa sot janë rreth 435 dhe janë në rekrutim e sipër edhe 25 të rinj, pra janë rritë kapacitetet brenda gjyqësorit, janë rritë kapacitetet brenda prokurorisë, me staf mbështetës, staf profesional dhe mendoj që jemi në rrugë të mirë në forcimin e gjyqësorit dhe prokurorisë që në rrethanat e tilla askush pos t’i shpëtojë dënimit që e meriton pra me abuzimin që e ka bërë”, tha ai.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, ndjekja penale nuk mund të ndërmerret nëse kanë kaluar rreth dyfishi i viteve nga vitet e dënimit.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme