E përditshmja serbe “Blic”, ka njoftuar gjatë javës se Rusia po e rrit presionin kundër presidentit Aleksandër Vucic dhe qëllimeve të tij, që politika e jashtme serbe të jetë e pavarur, pra të mos ndikohet nga Rusia.
Kundër kësaj gazete serbe, me një letër të hapur, ka reaguar ashpër ambsadori rus në Beograd Aleksandar Bocan Harçenko, duke thënë se teksti nuk korrespondon aspak me parimet e gazetarisë së ndershme.
Javët e fundit ka një përplasje të dukshme të marrëdhënieve në mes të Federatës së Rusisë dhe Serbisë. Ishte e përditshmja tjetër serbe “Politika”, e cila kishte botuar një intervistë me Harçenkon, ku ndër të tjera ishte deklaruar në raport me marrëveshjen eventuale në mes Kosovës dhe Serbisë.
“Definitivisht, zgjidhja e çështjes së Kosovës duhet të vërtetohet nga KS i OKB-së duke sjellë rezolutë të re, e cila do të zëvendësonte rezolutën në fuqi 1244”, kishte transmetuar “Politika” nga intervista me Harçenkon.
Mirëpo, përplasjet në mes të rusëve dhe serbëve ditët e fundit kanë shkuar më larg sesa një “keqinterpretim politik”.
Shtypi serb ka raportuar se Jevgenij Primakov do të emërohet drejtor i “Bashkëpunimit rus” (“Rossatrudnicevstvo”). Ndërsa sipas “Blic” emërimi i Primakovit në atë pozitë, në një organizatë që financon të gjitha “domet ruse” dhe organizatat joqeveritare nën kontrollin rus, do të nënkuptonte që ai do t’i kontrollonte burimet e parave që ky vend i dërgon në Serbi, dhe të cilat, deri më tani, janë përdorur drejtpërdrejt për të financuar demonstrata anekënd botës.
Më tej, “Blic” serb ka kontaktuar një burim brenda Qeverisë së Serbisë, i cili ka thënë se fakti që politika e jashtme e Vucvic është e pavarur, kjo nuk i përshtatet Rusisë.
Tërë këtë situatë, njohësi i çështjeve të sgurisë, Agim Musliu, e vlerëson se i takon fushës me të cilën ai merret – sigurisë. Sipas tij, emërimi i Primakovit në këtë institucion, i cili organizon trazira në shtetet ku vepron, është shumë domethënës.
“Rusët nuk janë magjistarë. Gjersa fuqitë e tjera të mëdha në botë shpesh përdorin edhe karotën edhe shkopin, rusët karota nuk kanë, kanë vetëm shkopinj”, ka thënë Musliu për KosovaPress.
Ai më tej ka theksuar se i vjen mirë që zërat nga brenda Serbisë janë rritur në kundërshtim të veprimeve ruse në Serbi. Megjithatë, sipas Musliut, rusët do të vazhdojnë të interferojnë në Serbi gjersa të ketë përpjekje serbe për demokratizim të mirëfilltë, përkushtim për fqinjësi të mirë dhe arritje të marrëveshjes me Kosovën, të cilën tashmë po e e udhëheq SHBA-ja.
“Vuçiqi duket se e ka kuptuar që rusët i shikojnë vetëm interesat e tyre. Por ende në Serbi nuk ka një gatishmëri shumë të hapur për t’u pozicionuar kundër politikave agresive ruse. Prandaj, nga Qeveria e Serbisë kur vijnë zërat e tillë për Rusinë, zakonisht vijnë si anonimë. Ose vetëm nga shtypi”, ka vlerësuar ai.
Marrëdhëniet ruso-serbe kanë qenë në nivelin e lartë të bashkëpunimit. Përkatësia religjioze e këtyre dy popujve është nyja më e fortë në këtë mes. Serbia shpeshherë është kritikuar nga Bashkimi Evropian dhe SHBA për relacionin me Moskën. Shumë serbë kanë marrë pjesë në luftërat që i ka nisur dhe mbështetur Rusia. Ukraina, disa herë ka kërkuar nga Beogradi zyrtar që t’i ndalojë mercenarët serbë që marrin pjesë në këtë shtet në krah të forcave separatiste ruse.
Agim Musliu i ndërlidh përplasjet e fundme pikërisht me elemëntët e sigurisë serbë që janë prorusë.
“Vuçiqi e di mirë se homologun e tij malazez Milo Gjukanoviq këta njerëz deshën ta vrasin dhe vet ai ka kontribuar në zbardhjen e këtij rasti. Unë besoj se vet organet e sigurisë së Serbisë i kanë dhënë informacionin e duhur malazezëve dhe vendeve perëndimore se kush nga Serbia ka qenë i përfshirë në atentatin ndaj Gjukanoviqit në vitin 2016”, ka thënë Musliu për KosovaPress, duke nënvizuar faktin se sa më shumë afrohet marrëveshja në mes të Kosovës dhe Serbisë, Vucici është i vetëdijshëm për rrezikun që i vjen nga Moska dhe kriminelët e ndërlidhur me të, që të tillë ka shumë.
“Kujtoni vetëm organizatën paramilitare ‘Vagner”, përfundon ai..