Mustafa bën analogji mes protestave para shtëpisë së tij dhe ato te Ahmeti

Sakte.net / e Shtunë 01 Tetor 2016 – 09:00

Kryeministri Isa Mustafa ka bërë analogji mes protestës dhe sulmit që ishin bërë kundër tij dhe shtëpisë së tij në Prapashticë e Prishtinë nga aktivistët e Vetëvendosjes dhe së fundmi protestës së qytetarëve të larguar nga banesat e uzurpuara në Dardani tek shtëpia e kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti.

“Mendoj se edhe njëra edhe tjetra është e pavend. E pavend ka qenë që VV-ja të organizojë protestë dhe t’i çojë militanët e vet te shtëpia ime, ku nipat e mbesat e mia kanë marrë trauma të ndryshme nga veprimet e tyre, sepse këto veprime nuk janë individuale. Nuk e di me çfarë logjike dikush sulmon shtëpinë time qoftë me çfarë logjike e bëjnë këtë edhe tek kryetari i Komunës së Prishtinës, sepse nuk janë ato raste individuale, nuk janë çështje të një vendimi individual”, ka thënë Mustafa.

Mustafa ka thënë se në këtë rastin e banesave në Dardani është një vendim i gjykatës dhe vendimi i gjykatës nuk merret mbi bazën e vullnetit të kryetarit të gjykatës apo gjykatësit individual, por merret mbi bazën e ligjit dhe ligji duhet respektuar.
“Qytetarët edhe për këtë rast mund të bëjnë protesta para institucioneve qoftë lokale qoftë qendrore, edhe në rastin tim kanë mundur të bëjnë protesta këtu, por nuk kanë të drejtë ta sulmojnë shtëpinë time me molotov, ta rrezikojnë bashkëshorten time ose jetën e mbesave e nipave të mi apo anëtarëve tjerë të familjes sepse është një gjë shumë e rëndë. Unë po habitem se si organet e drejtësisë po kapërcejnë mbi këto raste sepse në asnjë vend nuk do të ishte kapërcy kështu, nëse do të vërtetohej se dikush e ka sulmuar shtëpinë e kryeministrit me molotov dhe pastaj gjenden disa arsye totalisht të paqëndrueshme dhe jorelevante”.

Mustafa ka thënë se “këtu ka gabuar VV që ka kultivuar një mënyrë të tillë të sjelljes, por populli thotë që kush e bënë ‘gropën bien vetë në të’”.
“Unë nuk do të dëshiroja që të binte as kryetari i Prishtinës në këtë gropë dhe nuk do të dëshiroja që gjërat e tilla të përsëriten. Janë institucionet, është ligji që duhet të respektohet, por jo të shqetësohet familja, sepse familja nuk ka emër dhe mbiemër të veçantë, ajo është pjesë e kësaj shoqërie dhe si të tillë ne duhet ta ruajmë, ta respektojmë dhe ta kultivojmë, por edhe ta kultivojmë sjelljen politike”, ka thënë Mustafa.