Mustafa: Do t’i ftoj opozitën dhe Listën Serbe të diskutojmë për Demarkacionin

  • 07 Shtator 2016 / 13:41 / Sakte.net

 

 

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se do të nis një raund takimesh me opozitën dhe me Listën Serbe për sqarimin e të gjitha dilemave para se të ri-procedohet për në Kuvend, projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

 

Këto komente, Mustafa i ka bërë pas ceremonisë së ndarjes së shpërblimeve për Komuna, të organizuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe projekti DEMOS.

“Do të bisedoj edhe me opozitën, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Nismën dhe Vetëvendosjen. Po ashtu, do të bisedojmë edhe me Listën Serbe para se të procedojmë tutje në mënyrë që t’i shterim të gjitha opsionet”, ka deklaruar kryeministri i Kosovës.

Ai e ka përjashtuar mundësinë që të pranoj kushtëzime qoftë nga Lista Serbe apo opozita.

“Nëse ka diçka që na kushtëzohet unë do ta bëjë publike. Nuk ka kushte as nga Lista e as nga të tjerët, por ne do të mundohemi që këtë çështje ta zgjidhim në bazë të fakteve dhe argumenteve”, është shprehur Mustafa.

Ai ka theksuar po ashtu se tashmë ka biseduar me kryetarët e komunave që kufizohen me Malin e Zi nga të cilët kishte kërkuar “që të dëshmojnë nëse kanë ndonjë vërejtje se ndonjë pjesë e territorit të këtyre komunave është cenuar me marrëveshjen për Demarkacionin”

Njëherësh, Mustafa tha se do ta diskutoj edhe çështjen e banorëve të cilët e kanë shfrytëzuar atë zonë kufitare për kullosa, në mënyrë që të zgjidhen të gjitha problemet dhe shqetësimet e ngritura.

“Është mirë ta ndërkombëtarizojmë vijën kufitare e po ashtu edhe ta plotësojmë këtë standard, sepse po shihet që është kusht i pa kapërcyeshëm për liberalizimin vizave”, ka deklaruar Mustafa.

Nismat e reja politike të kryeministrit, Isa Mustafa për të kërkuar një konsensus politik rreth Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi, kanë pasuar zhvillimet në seancën e 1 shtatorit në kuvendin e Kosovës, ku në mungesë të votave dhe për shkak të gjendjes së rënduar politike, ishte detyruar ta tërhiqte ratifikimin e marrëveshjes për Demarkacionin nga votimi.

Marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi, është nënshkruar në fund të gushtit të vitit 2015 në Vjenë. Sipas dy protagonistëve kryesor nga pala kosovare, ish ministri i Jashtëm përkatësisht presidenti aktual, Hashim Thaçi dhe kryeministri Isa Mustafa, marrëveshja është e drejtë dhe reale.

Por, ndryshe mendon opozita e cila pretendon se me anë të kësaj marrëveshje, Kosova do të humb mbi 8 mijë hektarë tokë.

Së fundit, ishte edhe Lista Serbe ajo e cila nuk e mori pjesë në seancën për mbështeti ratifikimin e marrëveshjes, duke kërkuar paraprakisht nga kryeministri dhe qeveria e Kosovës që t’i diskutojnë disa çështje politike, të cilat kjo Listë i konsideron në interesin e komunitetit serb që jeton në Kosovë. (REL)

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme