Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se sfida më e madhe në botë sot, është lufta kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm dhe Kosova është rreshtuar në krah të shteteve, të cilat e kundërshtojnë këtë.
Kryeministri Mustafa bëri këtë vlerësim në hapjen e Konferencës së katërt të Ambasadorëve të Republikës së Kosovës, e organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme.
Mustafa tha se kur bota po kalon nëpër konflikte, diplomacia është bërë prioritet i rëndësishëm anë e kënd botës.
“Në programin e qeverisë i kemi dhënë prioritet themelor politikës së jashtme. Tash e dy vjet e kemi përqendruar një pjesë të madhe në politikë të jashtme, duke arritur edhe suksese që mund të konsiderohen të rëndësishme eurointegruese, 27 tetor 2015 marrëveshja e MSA-së. Kosova është pranuar në UEFA dhe FIFA, kemi hyrë në fazën e re të bashkëpunimit me NATO-n”, ka thënë Musta.
Kryeministri shtoi se vëmendja e politikës është fokusuar në zgjidhjen e problemeve me Serbinë.
“Sot çështja e Kosovës është çështje që duhet të zhvillohet më shumë në pikëpamje të jashtme. Sfida më e madhe në botë sot është lufta kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Kosova është rreshtuar në krah të shteteve të cilat e kundërshtojnë këtë”, tha Mustafa.
Kurse Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj tha se prioritetet e politikë së jashtme, nuk janë monopol i MPJ-së, por se ato duhet të gërshetojnë me nevojat e qytetarëve.
Ndryshe, Konferenca do të zgjasë deri më 23 dhjetor 2016, ku qëllimi i Konferencës është nxjerrja dhe përgatitja e planit të MPJ-së për 2017, i cili duhet të jetë në përputhje me planin dhe prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës.