Pas mbledhjes që u mbajt sot ,kryetari i LDK’së Isa Mustafa, ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook se Kuvendi i Nëntë Zgjedhor i LDK’së është një ngjarje e rëndësishme jo vetëm për partinë por për gjithë Kosovën.
Kjo për faktin se , sipas tij, LDK është partia më e madhe në vend.
Mustafa nuk ka hezituar të përmend se brenda partisë së tij nuk ka “klika”, dhe se pas zgjedhjeve të brendshme ata do të dalin unik.
Tutje, Mustafa ka shtuar se pret prej kundërshtarëve të tij punë të mbarë dhe se nuk i merr seriozisht ata që duan hedhje të karrikeve.
“Nuk i marr serioz as të pjekur ata që na dëshirojnë karriga. Sepse gabojnë. Ulin nivelin e tyre”, ka shkruar Mustafa.
Mustafa gjithashtu ka thënë se LDK si parti nuk është përzier dhe nuk ka lobuar për keq gjatë zgjedhjeve të asnjë partie, si dhe nuk i kanë komentuar rezultatet e zgjedhjeve të tyre.
“Kosovës i nevojiten parti të shëndosha, i nevojiten relacione të shëndosha ndërmjet subjekteve politike, i nevojitet konkurrencë e fortë dhe demokratike”, ka vazhduar kryetari i LDK’së.
Ndërsa ai ka thënë se në zgjedhjet ncaionale të shtatorit partia e tij do të dalë e para, përkundër faktit se ndonjë datë e zgjedhjeve ende nuk është caktuar.
“LDK nuk do të bëjë koalicion me ata që nuk e meritojnë, por nuk do të kultivojë urrejtje patologjike ndaj askujt”, ka shtuar ai.
“Sepse njerëzit e çdo partie politike janë njerëz të Kosovës me ide të ndryshme, janë njerëzit tanë
Ky është shkrimi i tij plotë:
Të nderuar qytetarë
Më 3 gusht të këtij viti, LDK mban Kuvendin e Nëntë Zgjedhor. Për Lidhjen Demokratike të Kosovës kjo është një ngjarje e rëndësishme. Është, domosdo, e rëndësishme edhe për Kosovën nga se LDK është parti lidere në vend, jo vetëm për nga madhësia por edhe për nga mosha demokratike, duke i mbushur sivjet 30 vjet.
Kam pritur dhe pres që edhe kundërshtarët tanë politik të na urojnë punë të mbarë. Nuk i marr serioz as të pjekur ata që na dëshirojnë karriga. Sepse gabojnë. Ulin nivelin e tyre. Në një konkurrencë shumëpartiake ne duhet ta mundim njëritjetrin me vota të qytetarëve, me asgjë tjetër. I marr të prapambetur për nga koha edhe ata që flasin për klika brënda LDK-së. Të tillët kanë rrëshqitur diku në pellgun e fjalorit dhe mendësisë që nuk është e LDK-së.
LDK nuk është përzier dhe nuk ka lobuar për të keq gjatë zgjedhjeve të asnjë partie. Nuk i kemi komentuar as rezultatet e zgjedhjeve të tyre. Kosovës i nevojiten parti të shëndosha, i nevojiten relacione të shëndosha ndërmjet subjekteve politike, i nevojitet konkurrencë e fortë dhe demokratike.
LDK do të dal e fortë dhe unike në Kuvendin e Nëntë Zgjedhor. LDK do të dal e para në zgjedhjet nacionale, në shtator të këtij viti. LDK nuk do të bëjë koalicion me ata që nuk e meritojnë, por nuk do të kultivojë urrejtje patologjike ndaj askujt. Sepse njerëzit e çdo partie politike janë njerëz të Kosovës me ide të ndryshme, janë njerëzit tanë. IM