Mustafa i quan “pallavragji dhe zhurmagji” kundërshtuesit e demarkacionit

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, njoftuar të ketë pranuar raportin e Komisionit për Matje të territorit lidhur me demarkacionin me Malin e Zi derisa ekspertët e pavarur i ka quajtur “pallavragji dhe zhurmagji”.

Ai ka thënë se ekspertët e pavarur kanë treguar letra të pavlera përmes të cilave “po na maltretojnë në emër të shkencës dhe ekspertëve të pavarur.

“Kryetari i Komisionit qeveritar për matjen e territorit të Kosovës ma dorëzoi Raportin mbrëmë për të dhënat faktografike për territorin e Kosovës. Akademik Hivzi Islami, kryetar i ASHAK me një sjellje dinjitoze, urtësi dhe plotë peshë të përgjegjësisë para shtetit dhe para kombit, tha se kanë bërë një punë me përkushtim për Kosovën, ai dhe anëtarët e këtij Komisioni. U ndjeva i nderuar që një akademik si Hivzi Islami, njeri që i ka dhënë shumë shkencës së Kosovës dhe shumë kuadro këtij vendi, drejtoi punën e një ekipe profesionale e cila i ofroi faktet e fundit Kosovës për territorin e saj”, ka shkruar Isa Mustafa në Facebook.
Duke lavdëruar Hivzi Islamin për punën që ka bërë, Mustafa ka thënë se komunat e Pejës, Istogut, Deçanit dhe Junikut, ia kanë konfirmuar se nuk është humbur asnjë pjesë e territorit të tyre.

“Dhe deri sa vështroja Kryeakademikun tonë se me çfarë përgjegjësie nxjerr fjalët për të shprehur peshën e një punë që kanë kryer, mendoj se me çfarë të drejte disa pallavragji dhe zhurmagji, që argumentin më të madh e kanë të qesin me dorë dhe të shkundin letra të pavlera po na maltretojnë në emër të shkencës dhe ekspertëve të pavarur (nga përgjegjësia e tyre)”, ka shtuar kryeministri.
“Komuna e Pejës, ajo e Istogut, Deçanit dhe Junikut që kufizohen me Malin e Zi konfirmojnë se nuk e kanë humbur asnjë pjesë të territorit të tyre. Kosova nuk ka humbur territor në shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi. Qytetarët e Kosovës duhet të lëvizin lirshëm në vendet e Shengenit. Askush nuk ka të drejtë të pengoj këto procese as për interesa politike e as materiale. Këtë punë duhet ta bëjmë ne shqiptarët e Kosovës dhe komunitetet joshumicë që nuk diktohen nga Serbia”.

Mustafa ka shkruar se Kosova ka mjaft kundërshtar të pavarësisë së saj dhe u ka bërë thirrje edhe ekspertëve të pavarur që të mos ndihmojnë në izolimin e qytetarëve të Kosovës.
“Kemi akoma mjaftë kundërshtar të pavarësisë sonë, pengues të proceseve shtetndërtuese dhe ithtar të izolimit të qytetarëve tanë. Nuk ka nevojë që edhe dikush tjetër të bëhet ndihmëtar i tyre”, ka shkruar në fund Mustafa.

© KOHA.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme