Lidhja Demokratike e Kosovës me koalicionin parazgjedhor sot hapi fushatën zgjedhore në Podujevë.
Isa Musatafa, kryetar i LDK-së, tha se është i nderuar që sot po u drejtohet llapjanëve të cilët në vazhdimësi kanë frymuar në vizionin e ish -presidentit Ibrahim Rugova.
Mustafa tha se si kryetar i Lidhjes Demokratike ka hapur vend edhe për të rinjtë, derisa për koalicionin me AKR-në dhe Alternativën tha se janë bashkuar për një qeverisje të drejtë dhe të pakorruptuar.
“Ne do të qeverisim drejt për të gjitha komunat me kandidatin Avdullah Hoti. Oferta jonë është qartë për të gjithë ata që ia donë të mirën vendit. Vetëm ky koalicion mund ta krijoj një qeveri normale për zhvillimin e vendit”, tha Mustafa, raporton Kosovapress.
Ai ka kërkuar votën e llapjanëve për kandidatin e koalicionit të LDK-së Avdullah Hoti, meqë sipas Mustafës vetëm në këtë formë mund të arrihet qeverisja e një vendi pa korrupsion.
Presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli, duke folur për kundërshtarët politikë, tha se “koalicioni i frikës dhe i territ do mjegull për të hutuar e manipuluar”.
Pacolli tha se me programin e koalicionit, çdo familje në Kosovë do ta ketë nga një të punësuar.
“Rini e dashur, mos e humbni shpresën me një qeveri që bënë punë dhe vetëm punë”, tha Pacolli.
Kryetari Komunës së Podujevës, Agim Veliu, tha se “jemi të nderuar se koalicioni i besës dhe shpresës po fillon në Podujevë”.
Sipas Veliut, mirëqenia e qytetarëve që ka qenë synim i LDK-së ka bërë që kjo parti në Podujevë të fitojë 12 palë zgjedhje.
“LDK si subjekt i shtet ndërtimit ishte me prijësin Ibrahim Rugova. LDK u përball me sfida të mëdha por për çështje interesave nacionale mori pjesë në qeverisje mbi 2 vjeçare dhe pati të arritura në ekonomi por kjo e pengoi partinë në koalicion. Vota juaj për listën tonë është për jetësimin e programit qeverisës për një zhvillim të shpejt të vendit”, tha Veliu.
Kandidati për kryeministër, Avdullah Hoti, tha se është krijuar një bashkim i forcave për zhvillim, punësim të ardhura dhe lëvizje të lirë në BE.
“Unë kam me vete brezin e Ibrahim Rugovës. Do të vazhdojmë me qeverisjen për reforma fiskale, për punësim, trefishim të buxhetit për bujqësi. Do ti ç kapim ndërmarrjet publike për zhvillim dhe qeverisje me duar të pastra. Më 11 qershor do të jemi fitues të zgjedhjeve, Zoti e bekoftë Kosovën e LDK-në”, tha Hoti.
U tha po ashtu se LDK-ja mbetet bastion i pamposhtur në Podujevë.
LDK bëri edhe prezantimin e kandidatëve për deputetë nga Komuna e Podujevës, Fidan Rekaliu, Vezir Januzi dhe Liman Zeqiri.