Në fjalën e tij para të pranishmëve në debatin për demarkacionin, kryeministri Isa Mustafa deklaroi se shënimi i kufirit me vendet fqinje është rast historik.
Sipas tij, Kosova pas pavarësisë po arrin që kufijtë administrativë t’i shndërrojë në kufi shtetërorë ndërkombëtarë.
“Të gjitha vendet që dolën nga shpërbërja e ish Jugosllavisë kanë kaluar nëpër proces të ngjashëm ashtu siç kanë bërë edhe ato të ish Bashkimit Sovjetik”, tha Mustafa, raporton lajmi.net.
Mustafa dha në pika të shkurtra historikun e kufijve ë Kosovës në kohën e ish Jugosllavisë duke sqaruar se ka trashëguar Komisionin Shtetëror për shënimin e Kufirit dhe bashkë me Hashim Thaçin, tani President, kanë që ata të trajtojnë të gjitha të drejtat e banorëve dhe të shqyrtojnë të gjitha dokumentet përkatëse.
“Në fund kemi marrë përgjigje se nuk kemi ndryshim kufiri por vetëm shndërrim të kufirit administrativ në kufi ndërkombëtar”.
Mustafa tha se ka kërkuar që të dorëzojë kushdo që ka paguar tatim për pronën në Kosovë dhe ka ndonjë dokument tjetër, por nuk ka pasur, e nga ana tjetër Mali i Zi e ka dëshmuar pronësinë e atyre territoreve për ët cilat opozita kosovare pretendon se janë marrë.
“Peja është komuna e rrallë që ka ruajtur dokumentacion kadastral dhe nuk mund të gjenden dokumente për humbjen e territorit. Shënimi i kufirit është në harmoni me rezolutën e AAK-së, sipas Kushtetutës së vitit 1974 dhe Kushtetutës së sotme”.
“Kjo e sotmja i referohet Pakos së Ahtisarit e në Kushtetutën e 74-ës, thuhet se territorin e Republikës së Kosovës e përbëjnë territoret e komunave të tashme”, deklaroi kryeministri, sipas të cilit vendi ka 10.908 km2, kurse komuna e Pejës ka 603 km 2 dhe nuk kemi lëvizje të territorit të Pejës, raporton lajmi.net.
“Metodologjia e aplikuar nga Komisioni është e njëjtë me atë të Badinterit. Prandaj konsideroj se puna e Komisionit Shtetëror është i drejtë”.
Ai më tej përmendi se mbështetje këtij demarkacioni i ka dhënë edhe raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit dhe Komisioni ndërkombëtar i themeluar nga ish Presidentja Jahjaga.
Kryeministri ftoi që të deklarohet kushdo për ndonjë shtëpi nëse di që ka qenë në Kosovë e pas demarkacionit ka mbetur në Mal të Zi, ndonjë fshat apo diçka të tillë, duke shprehur bindjen se asnjëra prej këtyre nuk ka ndodhur dhe se vendi nuk ka humbura asnjë pëllëmbë tokë.