Kryeministri në detyrë, Isa Mustafa, i është përgjigjur presidentit, Hashim Thaçi, pas kërkesës së tij për të ndarë 100 mijë dollarë ndihmë për të pekurit nga uragani Harvey në Houston të SHBA-së. Mustafa e ka kundërshtuar idenë e Thaçit duke thënë se kërkesa e tillë nuk duhet të bëhet në Facebook e as të dielën, por përmes akteve zyrtare dhe duke respektuar legjimitetin e Qeverisë
“Si Kryeministër e kam konsideruar të dhembshme dhe serioze fatin e viktimave dhe mbi një milion njerëzve të zhvendosur nga përmbytjet në Houston. Prandaj edhe ndihmën që mund ta japë Kosova. Për këto çështje presidentët nuk komunikojnë me qeverinë me facebook të dielen, por me akte zyrtare dhe duke respektuar legjimitetin e saj”, ka shkruar Mustafa në Facebook.
Ndërsa, ministri i Financave, Agim Krasniqi në një bisedë telefonikë për Express ka thënë se një shumë e tillë mund të ndahet në mbledhjen e radhës.
Sidoqoftë, Thaçi i ka kërkuar, sot, Isa Mustafës t’i ndajë 100 mijë dollarë për t’i dërguar në Hjuston pas uraganit Harvey, ku ka pasur dhjetëra viktima dhe shkatërrime të mëdha. Presidenti i Kosovës ka thënë se Kosova ka probleme me varfërinë, por, ka thënë se Kosova duhet të ndihmojë amerikanët për shkak të kontributit të tyre për Republikën e Kosovës.