Kreu kosovar i ekzekutivit, Isa Mustafa, e ka shfrytëzuar një tubim të partisë në qytetin e Mitrovicës, për të folur për punën që ka bërë si kryeministër.
Në shënimin e 27 vjetorit të degës në qytetin verior të Kosovës, Mustafa u lavdërua për punën e bërë deri më tani në zhvillimin ekonomik, teksa ka thënë se janë arritur normën më të lartë në rajon të rritjes ekonomike, duke ulur papunësinë dhe varfërinë, duke siguruar pensione të dinjitetshme, duke siguruar pensione për veteranët e luftës pas 15 vjetësh, duke siguruar buxhetin më të madh që ka pasur Kosova ndonjëherë, duke nxitur që të punohet çdo pëllëmbë toke e Kosovës, përcjell .
“Kemi punuar shumë dhe kemi rezultate të mëdha në luftën kundër korrupsionit e krimit, sepse atyre që janë mësuar të pasurohen me paranë publike do t’ia shtjerrim mundësinë që mos të bëjnë këtë”, tha kryetari Mustafa, duke shtuar se këto të arritura janë rezultat i punës së koalicionit qeverisës në tërësi.
Kryetari Mustafa tha, po ashtu, se LDK nuk frikësohet nga vota e qytetarëve por se qeverisja ka një rend i cili duhet të respektohet.
“Në qofte se qytetari i Kosovës dëshiron të ketë qeveri të pa korruptuar, në qoftë se qytetarët e Kosovës duan të kenë ministra të pakorruptuar, në qoftë se qytetarët e Kosovës dëshirojnë të kenë ministra që e dinë punën e vet dhe që e bëjnë punën e tyre, një qeveri qe ka marrëdhënie shumë të mira me institucionet e Bashkimit Evropian, me SHBA-të, me institucionet financiare ndërkombëtare, atëherë ata e dinë zgjedhjen e tyre”, tha ai.
Kryetari Mustafa shprehu edhe përkushtimin e LDK-së që të marrë vendime në partneritet me SHBA-të dhe partnerët tjerë euroatlantikë. Duke përkujtuar kontributin e tyre në themelimin e shtetit të Kosovës, kryetari Mustafa tha se edhe kufijtë e këtij vendi janë vënë me SHBA-të dhe me NATO-n.
“Ata që mendojnë që ne duhet të rikonfigurojmë kufij tjerë jashtë SHBA-së dhe jashtë NATO-s, vetëm sa mund të na dëmtojnë edhe neve edhe veten sepse këta janë kufijtë, kjo është miqësia jonë me SHBA-në dhe kjo është garancia për kufijtë tanë. Ne jo vetëm që i kemi vënë kufijtë me SHBA-të por ne jemi marrë vesh që këta kufij t’i ruajmë bashkërisht me SHBA-të dhe me NATO-n”, tha kryetari Mustafa, duke shprehur besimin që njerëzit e LDK-së në këtë aspekt do të jenë unik dhe të përgjegjshëm ndaj vendit, qytetarëve, ndaj partneritetit ndërkombëtarë dhe ndaj ardhmërisë së Kosovës.