Kryeministri Isa Mustafa thotë se ka marrë një letër nga sekretari i NATO-s në të cilën konfirmohet rritja e bashkëpunimit të organizatës euro-atlantike me Kosovën.

“Konfirmimin për rritjen e bashkëpunimit mes Kosovës dhe NATO-s e kam marrë dje përmes një letre nga sekretari i NATO-s, e cila pritet të fuqizohet vitin e ardhshëm”, ka thënë Mustafa.

Këto deklarata kryeministri i vendit, Isa Mustafa, i ka bërë në një konferencë të mbajtur për medie ku i pranishëm ishte edhe ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, raporton lajmi.net.

“Kjo letër nga sekretari i NATO-s është shumë e rëndësishme sepse rrit bashkëpunimin me aleancën veri-atlantike dhe konfirmon rolin e Kosovës si faktorë për paqe dhe stabilitet në rajon. Ne do të avancojmë hapat e anëtarësimit që në një periudhë jo të largët të bëhemi anëtarë të NATO-s”, ka thënë Mustafa.

Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, tha se nga sot Kosova ka marr një rrugëtim të ri drejt NATO-s.

Ai ka thënë se letra e nënshkruar nga Sekretari i NATO-s, konfirmon vullnetin e 28 shteteve anëtare që Kosova të rrisë bashkëpunimin me këtë organizatë.

“Nga sot kemi një rrugëtim të ri të NATO-s. Kosova e cila deri më sot ishte konsumuese e paqes në rajon tash është kontribuuese e saj. Kemi bërë përpjekje maksimale që të rrisim numrin e njohjeve dhe qëllimi jonë është që ta shtrijmë sovranitetin dhe këtë do ta bëjmë duke u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare”, ka deklaruar Hoxhaj.

Ai ka shtuar se “nuk kemi nevojë të kërkojmë njohje të pafunda por duhet arritur 130 në mënyrë që kur të aplikohet për anëtarësim në organizata ndërkombëtare të kemi numrat e mjaftueshëm”.

Hoxhaj ka thënë se gjatë vitit 2017 pritet të hapen tri ambasada në Tajvan, Emirate të Bashkuara Arabe dhe Senegal.