Kryetari i LDK-së Isa Mustafa, pas mbledhjes me krerët e degëve të LDK, theksoi se nuk ka ngrirje të qëndrimeve sa i përket pozitave të caktuara mes LDK-së dhe VV-së, teksa shtoi se procesi i bisedimeve po vazhdon edhe më tutje dhe ky proces nuk është i ngurtë.
Lideri i LDK-së deklaroi se deri më tani janë pajtuar e VV-në në shumë gjëra edhe në programin qeverisës, si dhe deri edhe në ndarjen e përgjegjësive, teksa shtoi se kanë mbetur edhe disa çështje të diskutohen edhe më tutje.
Mustafa tha se LDK vlerëson që ajo që është themelore, është që të shtohet mirëbesimi dhe respekti reciprok. Sipas tij, si partnerët të ardhshëm nëse ky besim mungon atëherë jo vetëm që do të paraqet problem në lidhjen e marrëveshjes së koalicionit, por këto probleme do të shpërfaqen edhe më vonë në qeverisjen e vendit.
“Edhe çështja e presidentit mendojmë që është çështje parimore, themi çështje e një ekuivalence e cila duhet të krijohet mes dy partnerëve dhe po ashtu është çështje e mirëbesimit ndërmjet nesh, në mënyrë që edhe ndarja e pozitave të bëhet e tillë që asnjë palë të mos del super e fuqishme nga ky koalicion. Por, të kemi pjesëmarrje tonë në ndarje të përgjegjësive karshi votës të cilën e kemi marrë para qytetarëve të Republikës së Kosovës. Kjo është kërkesa jonë e vetme, në asnjë kërkesë personale as formulë personale nuk ka në këto biseda të cilat janë zhvilluar deri më tani, por janë çështje që ne dëshirojmë që edhe interesin e subjekteve tona që i përfaqësojmë në bisedime edhe atë të qytetarëve që presin para nesh t’i barazojmë dhe të kemi përgjegjësi të barabartë të themi edhe politike, por edhe para qytetarëve tanë”, tha Mustafa.
Pas takimit me kryetarë të degëve të LDK-së që zgjati rreth dy orë, Mustafa tha se sa i përket emrit të presidentit, nuk ka zgjedhje tani për president, derisa shtoi se për emrin e presidentit nuk ka ndonjë problem.
“Sa i përket presidentit, ne zgjedhjet për president nuk i kemi tani. Në zgjedhjet për president i kemi në fillim të vitit 2021 dhe kur të vije koha organet e LDK do ta bëjnë publik edhe propozimin e tyre. Për emrin nuk është problem, emri është problem vetëm që të kemi vullnet, të kemi besim nëse ne kemi besim si LDK që ta votojmë Kurtin për kryeministër, atëherë presim që një besim të tillë duhet ta ketë edhe partneri jonë ndaj LDK-së. Mos të dyshojmë, sepse nëse dyshojmë ndaj njëri-tjetrit, atëherë punët nuk shkojnë mirë. Nëse eliminojmë komponentin e dyshimeve dhe jemi për atë që të bëjmë ndryshime të cilat i meriton ky vend, unë mendoj se zgjidhjen do ta gjejmë. Prandaj, do të vazhdojmë që të gjejmë zgjidhje. Sot nuk kemi caktuar takim… Asnjë problem s’është vetëm se duhet vazhduar edhe më tutje, por nuk nënshkruhen sendet pa u kryer. Kur të kryhet ne nënshkruajmë”, deklaroi Mustafa.
Takimet e fundit mes Isa Mustafës dhe Albin Kurtit për koalicion janë mbajtur të shtunën, derisa sot nuk janë paralajmëruar se mund të ketë ndonjë takim rreth arritjes së marrëveshjes përfundimtare.Kosovapress
Top Channel