Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, të premten u pengua nga disa serbë lokalë që të shkojë nga rruga kryesore në një përurim të një ure në Leposaviq, prandaj atij iu desh të gjejë rrugë alternative.
Por, Mustafa me anë të një statusi në llogarinë e tij në Facebook sqaron se ai nuk është vonuar aq shumë, përkundër se iu desh ta thyejë rrugën pak gjatë udhëtimit të tij.
“Për hir të së vërtetës dua t’i sqaroj opinionit se ftesa për hapjen e urës nga KFOR-i ka qenë për orën 14:00. Unë kam arritur ndërmjet orës 14:10 ose 14:15 min”, sqarohet Mustafa, që thotë se i vjen keq që “duhet të merrem me këto gjera”.
“Ceremonia ka përfunduar në ora 14:45, prandaj kam arritur në Drenas në ora 16:30. Të gjitha pretendimet se jam penguar dhe se kam arritur me një orë e gjysmë ose dy orë vonesë janë të pavërteta”.
Mustafa thotë se përndryshe nuk e ka zakon të vonohet askund.
“Nuk e kam shprehi të vonohem. Nuk jam vonuar në orë me studentë, nuk vonohem në punë dhe nuk vonohem në mbledhje të Qeverisë”.