Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në një adresim të vonë të së premtës ka treguar se Qeveria ka aprovuar Raportin e ekspertëve për matjen e territorit të Republikës së Kosovës.
Sipas tij, raporti konstatoi se sipërfaqja e Kosovës nuk ka ndryshuar për asnjë metër katror si pasojë e Marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi.
“Ky Raport është një dëshmi për këtë gjeneratë dhe për gjeneratat e ardhshme se Kosova nuk kemi humbur territor dhe, po ashtu, në mënyrë të qartë tregon përkushtimin e kësaj Qeverie që të pasqyrojë faktet e drejta para qytetarëve tanë dhe për ta mbrojtur dhe dëshmuar çdo pëllëmbë të këtij vendi”, ka thënë Mustafa, përcjell Koha.net.
“Qeveria e Republikës së Kosovës nuk ka bërë pazare me territorin e saj për liberalizim të vizave, ashtu siç nuk do të lejojë të cenohet asnjë pëllëmbë e këtij territori. Për mua si kryeministër i Kosovës është me rënësi të veçantë se Komisioni i ekspertëve ka konstatuar të vërtetën për territorin e Kosovës. Mbetem shumë i përkushtuar që Kuvendi i Republikës së Kosovës të ratifikojë Marrëveshjen për Shënimin e Vijës Kufitare me Malin e Zi, sepse e konsideroj tepër të dobishme për vendin dhe qytetarët tanë, por vendimi për këtë i takon Kuvendit të Republikës së Kosovës në një proces të ardhshëm”, ka thënë Mustafa.
Ndonëse kishte thënë se në fillim të marsit Qeveria do ta ridërgojë për ratifikim në Kuvend marrëveshjen për demarkacionin, Mustafa nuk ka saktësuar se kur do të ndodhë një gjë e tillë.