Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti përfaqësuesit e menaxhmentit, të sindikatës dhe një numër të minatorëve të Trepçës, me rastin e shënimit të Javës së Minatorëve, që shënohet për nder të 28 vjetorit të grevës së Minatorëve të Trepçës, njofton kumtesa nga Kryeministria, transmeton Koha.net .
Në këtë takim, ku ishin të pranishëm edhe zëvendëskryeministri i parë, Hajredin Kuçi dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, u bisedua për problemet që janë me prioritet për Trepçën.
Kryeministri Isa Mustafa vlerësoi përpjekjet, punën dhe kontributin e minatorëve në rimëkëmbjen e Trepçës, jo vetëm tani por në të gjitha proceset e shtetndërtimit.
“Kontributi i minatorëve të Trepçës ka qenë i rëndësisë esenciale në të gjitha proceset e ndërtimit të Kosovës, edhe në proceset e pavarësisë dhe të lirisë së Kosovës dhe janë çështje, të cilat i vlerësojnë jo vetëm qytetarët e Kosovës, por i vlerësojnë të gjithë edhe më gjerë sesa në Kosovë”, tha Mustafa.
Mustafa theksoi përpjekjet maksimale të Qeverisë për rikthimin e Trepçës në një dimension krejtësisht të ri.
“Është gati studimi i fizibilitetit dhe është zhvilluar një debat para disa ditëve. Edhe aty po presim një përgjigje se çka po thotë ky studim, çka duhet të bëhet më tutje për fazat e tjera të Trepçës, në fazën e përpunimit, finalizimit të produkteve, të shkritores, të metalurgjisë së zinkut, të industrisë kimike dhe në qoftë se duhet të bëjmë diçka tjetër, duhet që studimet të na tregojnë se cila është mënyra më e mirë e financimit të investimeve në të ardhmen. Por, ne do të mbesim të përkushtuar që të kemi investime atje dhe të finalizojmë produktet e Trepçës, mirëpo krejt me një koncept të ri”, theksoi kreu i Qeverisë.
Gjatë takimit, kryeministri Mustafa tha se për të gjitha këto nevojitet bashkëpunim i të gjithëve, në mënyrë që të gjendet rruga më e mirë.
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha se jo vetëm greva e minatorëve, por edhe puna e bërë me djersë, është shembull i mirë si mbrohet dhe si duhet vendi.
Duke folur për ndryshimet ligjore me Trepçën, Kuçi tha se ato kanë për qëllim që gjiganti ekonomik të kthehet në një ndërmarrje e cila është e gatshme të ballafaqohet me ekonominë e lirë të tregut.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, theksoi përkushtimin që viti 2017 të jetë vit i zgjidhjes së problemit ekonomik dhe social të kombinatit Trepça.
Drejtori Menaxhues i Ndërmarrjes Trepça, Ahmet Tmava, tha se përkundër problemeve të shumta, këtë vit “Java e Minatorëve” është shënuar me një gjendje më të relaksuar, duke shtuar se ethet se Trepça do të hyj në procedurë të likuidimit i takojnë të kaluarës.
“Është emergjente që Ligji të zyrtarizohet në aspektin e obligimeve që dalin. Në këtë periudhë të tranzicionit kemi bashkëpunim të plotë me MZHE-në”, tha drejtori Tmava, duke theksuar se janë të gatshëm që t’i marrin të gjitha përgjegjësitë dhe detyrat që u takojnë.
Drejtues të sindikatës paraqitën kërkesat e tyre për formimin e Bordit të Trepçës, për Ligjin për Pensione, njohjen e përvojës së punës së minatorëve gjatë viteve të 90-ta, por edhe për nënshkrimin e një Memorandumi të Mirëkuptimit mes MZHE-së, menaxhmentit dhe sindikatës për adresimin e çështjeve që lidhen me minatorët e vdekur në vendin e punës dhe çështje të tjera.
© KOHA.