Mustafa: S’do të ketë kategorizim të pagës minimale, rritja e pagave sipas rritjes ekonomike

Implementimi i Marrëveshjes kolektive dhe i ligjeve, sidomos në sektorin privat, përvoja e punës për vitet 90–ta, si dhe eliminimi i kategorizimit të pagës minimale, ishin disa nga temat që u diskutuan në një takim të mërkurën mes kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa dhe përfaqësuesve të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) dhe atyre të sindikatave të veçanta në kuadër të BSPK-së.

Mustafa, pas takimit tha se nuk do të ketë më kategorizim të pagës minimale, ashtu siç ka qenë deri më tani.

“Ajo që u pajtuam sot është që të mos kemi kategorizim të pagës minimale, të mos e kemi një pagë minimale 170, një pagë minimale 130, varësisht nga mosha, sepse paga duhet të jetë minimale e njëjtë për të gjithë pa marrë parasysh moshën, atë do ta realizojmë. Tani flasim për orientimin tonë që paga minimale të jetë kjo e larta prej 170. Pastaj, kur të llogarisim mekanizmat e përllogaritjes së pagës minimale, atëherë do të shohim se a mund të lëvizim dhe sa mund të lëvizim”, tha Mustafa.

Ndërsa sa i përket implementimit të marrëveshjes kolektive, Mustafa tha se janë marrë vesh që kontrata e ardhshme, e cila do të jetë vazhdimësi e kësaj kontrate kolektive, të punohet bashkërisht ndërmjet dy ekipeve, në mënyrë që të gjinden zgjidhje, të cilat do të implementohen në mënyrë të plotë në të ardhmen.

Ndërkaq kryetari i BSPK-së, Haxhi Arifi, i cili kërkoi mes tjerash nga kryeministri edhe gjetjen e një zgjidhje për objektin ku operon BSPK-ja, tha se shpreson që ky takim do të ketë rezultate për çështje që ata kanë ngritur, e që e shqetësojnë BSPK-në. Në të kundërtën ai tha se do t’i përdorin dhe metodat tjera, të cilat u lejohen me ligj, për realizimin e kërkesave të tyre.

“Besoj dhe shpresoj se nuk do të jetë një takim ose një dialog që e bëmë shterpë. Por do të avancohet çështja në këto pika sot që i kemi diskutuar bashkërisht, implementimin e ligjeve, marrëveshjes kolektive, zgjidhja e problemit te ligji i stazhit të punës, me theks të veçantë në vitet 90-99, ku është kërkuar që të jenë 15 vite për kontributdhënës. Ai prag duhet të zvogëlohet dhe të gjendet një modus, që punëtorët që kanë punuar në vite të tëra 40 vite, 35 vite, të mos jenë në gjendje që mos ta marrin pensionin siç iu takon, por të jenë në kategori tjetër. Shpresoj se do të bëhet zgjidhje dhe për infrastrukturën, gjegjësisht objektin e BSPK-së. Ne i kemi dhënë gjithmonë përparësi dialogut. Besoj dhe shpresoj se nuk do të vjen çështja, që ne ndoshta mund t’i përdorim dhe mekanizmat tjerë që na i lejon ligji”, tha ai.

Arifi, po ashtu, tha se kishin edhe një kërkesë për ngritjen e pagave, të cilat sipas tij për këto tri vite nuk janë rritur fare.

“Gjithashtu, ishte dhe një kërkesë e ngritjes së pagave. Sigurisht se edhe për këtë edhe kryeministria edhe Ministria e Financave dhe të tjerët do ta diskutojnë, sepse kohën e fundit, them numerikisht tri vitet e fundit nuk ka ndodh ngritje e pagave. Por megjithatë shpresojmë që në këtë drejtim që të bëjmë zgjidhje dhe tek ngritja e pagave”, tha Arifi, transmeton kp.

Kryeministri Mustafa tha se rritja e pagave do të ndodhë karshi rritjes ekonomike, në harmoni me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe sektorin privat, me qëllim që të mos thellohen diferencat mes sektorit publik dhe atij privat.

“Ne orientimin e kemi për rritje të pagave. Por orientimi është që rritja e pagave me ndodh karshi rritjes ekonomike. Natyrisht, se ne lëvizjen e pagave, duhet ta bëjmë në harmoni me FMN-në, sepse kemi marrëveshje me ta. Dhe, po ashtu, do ta bëjmë në harmoni dhe me sektorin privat, në mënyrë që mos të thellojmë diferencat mes sektorit publik dhe sektorit privat, sepse kemi pastaj probleme të lëvizjes veçmas të ekspertëve dhe të tregut të punës, kah sektori publik, në krahasim me atë që ne duhet t’i japim përparësi sektorit privat. Por, gjithsesi, mbi bazën e kapaciteteve tona, do ta trajtojmë edhe këtë me Ministrinë e Financave dhe me të gjithë partnerët e tjerë”, tha Mustafa.